E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia: Shkupi po provokon

Autoritetet greke i kanë cilësuar provokim deklaratat dhe reagimet e para të autoriteteve të Shkupit pas zgjedhjes së qeverisë së re në Greqi. “Ndërhyrjet fyese të autoriteteve të Shkupit, vetëm disa ditë pasi u zgjodh Qeveria e re, sigurisht që nuk ndihmojnë në drejtim të krijimit të klimës së përshtatshme për arritjen e një zgjidhjeje të përbashkët të pranueshme”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Gregori Delavekuras. Ai ka shprehur kritika për një nga deklarimet e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ka thënë se Greqia po kryen genocid politik. “Ata po rrënojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe po nxisin në mënyrë sistematike propagandën negative qeveritare, e cila ka për qëllim që opinionin publik në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ta kthejë kundër Greqisë”, deklaroi zëdhënësi Delavekuras. Sipas tij, Athina është e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të emrit përmes negociatave dhe në kuadër të OKB-së. Reagimi grek gjithashtu ka pasuar edhe pas thirrjes së ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Popovski, i cili i bëri thirrje autoriteteve greke që të mos provokojnë maqedonasit me vendimin për mbulimin e kodit të targave të makinave MK me mbishkrimin FYROM.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›