E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Sulmi ndaj policisë së Kosovës, i patolerueshëm

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar ashpër sulmin mbi policinë nga grupe huliganësh të dhunshëm serbë, që tentuan të hyjnë në territorin e Kosovës, për manifestime për të cilat paraprakisht nuk është bërë kërkesa në organet përkatëse të vendit.
Në një deklaratë të publikuar nga kabineti i presidentes thuhet se përpjekjet e këtyre grupeve huliganësh, do të ndalohen sepse janë shkelje serioze e rendit dhe ligjit dhe përshkallëzojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë.
 

"Sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës me mjete të forta dhe me armë zjarri, është plotësisht i patolerueshëm dhe është sulm mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës", ka thënë presidentja Jahjaga, për të shtuar se institucionet e Republikës së Kosovës do të mbrojnë me përkushtim sistemin demokratik të vendit dhe do të parandalojnë çdo përpjekje për destabilizim.
 

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, iu bën thirrje autoriteteve të Serbisë që të pengojnë grupet e huliganëve serbë dhe të parandalojnë përpjekjet e tyre për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike duke shkelur kështu ligjet e Republikës së Kosovës dhe iu "përkujton autoriteteve serbe se politika e fqinjësisë së mirë është obligim dhe parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian".
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›