E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia: Shqiptarët po na i marrin heronjtë

Grekët janë të shqetësuar me mënyrën sesi shqiptarët e shkruajnë historinë. Në vigjilje të vitit të ri shkollor, mediat greke i rikthehen kritikave të teksteve shkollore që përdoren në Shqipëri. Ata iu referohen të dhënave në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 19:11

Web-faqe të ndryshme, ndër të cilët edhe ai i gazetës ‘Proto Thema’, shkruajnë me shqetësim për faktin se, sipas tyre, “pas Maqedonisë, tani edhe Shqipëria po kërkon ta bëjë hero të vetin Aleksandrin e madh”.

Lidhur me këtë pohim madje citohen teksti i Fjalorit të ri Enciklopedik dhe teksti shkollor i lëndës së Gjeografisë, në të cilat thuhet se “ADN i Aleksandrit të Madh është shqiptar, për shkak të prejardhjes së nënës së tij, e cila vinte nga Thesprotia”.

Në tekstet e Shqipërisë thuhet se prejardhja e Olimpiadës, nënës së Aleksandrit të Madh, është nga një fis ilir, megjithëse, sipas mediave greke, “kjo është një pasaktësi e madhe, meqenëse është e pranuar me kohë se fiset që kanë jetuar në Thesproti dhe Molosi janë fise greke”.

Duke vazhduar me analizën që i bëhet tekstit të Fjalorit Enciklopedik, veçohet edhe fakti tjerë, se në këtë libër - e si rrjedhojë, edhe në tekstin e Gjeografisë - “rajoni i Epirit të Veriut konsiderohet si territor shqiptar”, ose edhe ajo se aty përdoret termi “gjenocid” për atë që iu ndodhi çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mediat greke e nënvizojnë si të gabuar faktin që në tekstet shqiptare thuhet se: "Territore shqiptare janë Janina, Igumenica, Arta, Thesprotia, Follorina dhe Preveza, zona këto që iu aneksuan Shqipërisë në vitin 1913, nga Këshilli i Ambasadorëve ...”. Gjithashtu, sipas grekëve është gabim që emrat suliot, si Marko Boçari, “një figurë kjo udhëheqëse e revolucionit grek të vitit 1821”, dhe Pirro Dhima, “fitues i medaljeve të arta olimpike”, të cilësohen si shqiptarë.

Fjalori Enciklopedik Shqiptar kritikohet pasi që, sipas mediave greke, “grekët e Epirit të Veriut, në pjesën jugore të vendit, cilësohen si ‘kolonë’ nga vitet e pushtimit turk, të cilët u gjendën atje për të punuar pasuritë e bejlerëve”.
"Nuk ka asnjë referencë për karakteristikat kulturore, demografike dhe gjeografike të minoritetit kombëtar grek, dhe për kontributin e tij në shoqërinë shqiptare”, vërejnë analizat e mediave greke.

Andaj, shtypi grek shkruan se, këto dhe shumë detaje të tjera janë "shaka” të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, i cili është botuar me fonde publike nga Akademia e Shkencave e Tiranëës, që është institucioni më i rëndësishëm shkencor në Shqipëri. Rrjedhimisht, sipas shtypit grek, kjo akademi i ka ndërmarrë këto veprime me qëllimin të promovimit të zgjidhjes së "çështjes kombëtare shqiptare", dhe për bashkimin e gjithë shqiptarëve në Ballkan. GSh

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›