E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia dënohet për poshtërimin ndaj gazetarit turk

Strasburg - Greqia është dënuar sot nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për trajtimin poshtërues ndaj një gazetari turk, i cili kishte kërkuar azil në këtë vend. S.D., 50 vjeç, kishte shkuar në Greqi në maj të vitit 2007, ku ishte arrestuar nga policia për hyrje të paligjshme në vend.

Gazetari, që u përfshi nga një masë për dëbim nga autoritetet greke, është vendosur në burg në pikën kufitare Sufli, në pritje të dëbimit. Ai nuk lejohej të dilte jashtë, as të telefononte apo të pajisej me çarçafë të pastër.

Më 10 korrik, në kuadrin e kërkesës së tij për azil, azilkërkuesi është transferuar në qendrën për të huajt në Petru Rali, ku qëndroi 10 ditë përpara se të merrte një përgjigje pozitive lidhur me kërkesën e tij për azil.

Gjykata Evropiane, në vendimin e dhënë sot nënvizon "gjendjen e mjerueshme" të kushteve të burgosjes në të gjitha burgjet afër kufirit greko-turk, duke iu referuar një raporti të Komisariatit të Lartë për Refugjatët.

Ajo përmend edhe Komitetin për parandalimin kundër torturës (CPT) që kishte vizituar burgun ku ai qëndroi dhe i cilësoi kushtet e burgosjes si "të papranueshme".

"Si refugjat dhe azilkërkues personi në fjalë ka patur kushte që vlerësohen si trajtim poshtërues" duke shkelur Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut, shkruan ajo në konkluzionin e saj.

Duke e vlerësuar burgosjen të paligjshme, ajo del gjithashtu në përfundimin e shkeljes së Konventës dhe i jep palës së dëmtuar 10 000 euro si zhdëmtim moral.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›