E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia diskuton mospagimin e 50% të borxheve

Mediat greke raportuan në ditën e djeshme se ministri i Financave ka thënë për deputetët e mazhorancës se zgjidhja e krizës së vendit do të kalojë në 3 skenarë, një prej të cilëve është mundësia e mospagimit të 50% të totalit të borxhit. Raportimi i mediave u mohua menjëherë nga zëdhënësit qeveritarë, të cilët thanë se çdo skenar është një faliment i pa kontrolluar dhe skenari i vetëm të cilit i përmbahet qeveria është zbatimi i marrëveshjes së 21 korrikut, sipas paketës së ndihmës 109 miliardë euro. E përditshmja “Ta Nea” citoi një deputet grek, të pranishëm në takimin me ministrin, i cili ka deklaruar se është me rrezik të madh të kërkosh negociata për reduktim me 50% të borxhit. "Kjo do të kërkonte një marrëveshje dhe përpjekje të koordinuar me të gjithë aktorët në treg”, ka thënë ministri Evangjelos Venizellos në këtë takim. Ministria e Financave nuk bëri asnjë koment, ndërsa një zëdhënës i qeverisë tha se “Greqia ka vendosur të jetë pjesëtare e Eurozonës dhe të zbatojë marrëveshjen e 21 Korrikut”. Në muajin korrik disa nga bankat më të mëdha kredituese të Greqisë ranë dakord të pranojnë humbje në 21% për bono që maturohen përpara vitit 2020. Marrëveshja përfshiu edhe propozimin për një skemë të shkëmbimit të bonove aktuale me bono që maturohen në 15 dhe në 30 vitet e ardhshme. Kjo marrëveshje u reflektua në rezultatet e tremujorit të bankave, por njëkohësisht i ka mbajtur ato larg tregjeve të financimit, për shkak të ekspozimit ndaj këtij borxhit. Më herët në fillim të këtij muaji, drejtori Ekzekutiv i Deutsche Bank, Josef Ackermann, tha se shumë banka europiane do të falimentojnë në rast se pranojnë humbje në 50% të borxhit grek, duke cilësuar si marrëveshje të mirë shkëmbimin e borxhit me humbje në 21%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›