E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia, dy ndihma sociale për të papunët me fëmijë

Autori i Lajmit: Redaksia
Greqi - Ndryshon lista e grupeve të atyre personave që do të marrin ndihmën e solidaritetit me modifikimet që bëri në projektligjin konkret ministri i Financave, Jorgos Papakostandinu. Kështu, ata familjarë që një vit më parë ishin në kategorinë me të ardhura të ulëta dhe sivjet janë të papunë, do ta marrin dy herë ndihmën sociale. Gjithashtu, kanë të drejtë për të marrë ndihmën sociale edhe ata që marrin Ndihmën e Solidaritetit Social (EKAS) pavarësisht nga mosha e tyre. Sipas modifikimit që u paraqit së fundmi në komisionin e Çështjeve Financiare të Parlamentit, z.Papakostandinu tha se familjet që vjet kishin të ardhura të ulëta dhe sivjet janë të papunë do të marrin ndihmën që u takon plus 400 euro që jepen për të papunët. Nga ky ndryshim pritet të përfitojnë dhe emigrantët e ligjshëm që jetojnë në shtetin fqinj.
Një familje me një fëmijë dhe të ardhura vjetore deri në 14.000 euro do të marrë 1400 euro (700 +400).
Me dy fëmijë dhe të ardhura vjetore deri në 15.500 euro do të marrë 1200 euro (800+400).
Me tre fëmijë dhe të ardhura vjetore deri në 22.000 euro do të marrë 1400 euro (1000+400).
Me katër fëmijë dhe të ardhura vjetore deri ne 23.500 euro, do të marrë 1500 euro (1100+400).
Me pesë fëmijë dhe të ardhura vjetore deri ne 25.000 euro do të marrë 1600 euro (1200+400). Gjithashtu, ministri i Financave njoftoi në komisionin e Çështjeve Financiare të Parlamentit se me modifikimin e projektligjit konkret, kjo ndihmë sociale nuk mund të konfiskohet dhe as të kompensohet me borxhet që mund të kenë personat që do të marrin këtë ndihmë ndaj shtetit dhe bankave. Ndihma sociale, theksoi z.Papakostandinu është një veprim tjetër i qeverisë, për të ndihmuar të ardhurat e shtresës së mesme dhe të varfër të popullsisë dhe kryesisht të familjeve me fëmijë.

Fillon sot dialogu për Sistemin e Sigurimeve Sociale

Nis sot dialogu i Ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Sociale me partnerët socialë, për reformën e Sistemit të Sigurimeve Sociale. Pas “ndalimit” të dialogut nga lëvizja PAME e Partisë Komuniste Greke (KKE), ditën e hënë në Ministrinë e Punës dhe Sigurimeve Sociale, por edhe pas qëndrimit të shprehur nga KKE-ja për reagime më të fuqishme, dialogu do të bëhet në Parlament. Ministri i Punës dhe i Sigurimeve Sociale, Andreas Loverdhos, vjen në tryezën e dialogut me qëndrime konkrete në lidhje me evazionin fiskal, kufizimin e punës së pasiguruar, kufizimin e shpenzimeve të jashtëzakonshme për shëndetësinë dhe në një fazë tjetër për unifikimin e enteve të sigurimit. Z.Loverdhos përsëriti se vendimet nuk do të jenë në kurriz të punëtorëve dhe se nuk do të befasohen. Dje, zëdhënësi qeveritar, Jorgos Petalotis, sqaroi se “jemi të vendosur të bëjmë këtë dialog. Duam të ndryshojë gjendja. Jemi në kundërshtim me amullinë që ekziston, e cila është në kundërshtim me mbijetesën e sistemit të sigurimeve sociale, me mundësinë për tu dhënë pensionet të siguruarve të thjeshtë. Ne u angazhuam se nuk do të ngarkojmë me peshën e sistemit të sigurimeve sociale të siguruarit e thjeshtë. Propaganda e rrezikshme që bëhet nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën”. Duket se cila është pro progresit dhe cila pro amullisë*. Duke iu përgjigjur qeverisë, anëtari i KKE-së, Maqis Mailis, kërkoi transmetimin direkt të dialogut nga televizioni publik. Nga ana e tij, kryetari i Koalicionit (SYN) Aleksis Cipras, tha se “qeveria përpiqet të mos paraqesë me sinqeritet dhe në mënyrë të qartë qëndrimet e saj për ndryshimet në sistemin e sigurimeve sociale. E ftojmë të bëjë publike këto qëndrime”.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›