E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska sulmon ashpër Hoxhën, e kujdesshme me Titon

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Moskë, 14 korrik 1963 - (vijon nga dje...) Është e vështirë të besosh se shokët kinezë, të cilët edhe vetë kanë kryer një revolucion nuk e kuptojnë gjënë kryesore: Se revolucioni botëror sot vjen si nga lufta revolucionare e klasës punëtore në vendet kapitaliste, ashtu edhe përmes luftës për çlirim kombëtar, forcimin e pavarësisë politike dhe ekonomike të vendeve të sapoçliruara të Azisë dhe Afrikës dhe përmes luftës antimonopol të masave dhe nga shumë rrugë të tjera, të cilat nuk duhet ta kundërshtojnë njëra-tjetrën, por të qëndrojnë të bashkuara dhe të drejtuara drejt një objektivi të përbashkët, rrëzimin e sundimit të imperializmit... Shokët kinezë e konsiderojnë si kriter kryesor të shpirtit revolucionar pranimin e një kryengritjeje të armatosur, - gjithmonë, për gjithçka, në çdo vend. Prandaj shokët kinezë në të vërtetë e refuzojnë mundësinë e përdorimit të formave paqësore të luftës për të arritur fitoren e revolucionit socialist, ndërsa marksizëm-leninizmi mëson se komunistët duhet të zotërojnë të gjitha format e luftës revolucionare të klasave, - si të dhunshmet ashtu edhe paqësoret.

Operacionet në Azi, Afrikë, Amerikën Latine

Por ende, një pyetje shumë e rëndësishme është ajo e marrëdhënies mes luftës së klasës punëtore ndërkombëtare dhe lëvizjes nacionalçlirimtare të popujve aziatikë, afrikanë, dhe amerikanolatinë... Çfarë zgjidhje i japin shokët kinezë këtij problemi? Kjo është parë nga “teoria” e tyre e re, sipas të cilës kontradikta kryesore e kohës sonë nuk është kontradikta mes socializmit dhe imperializmit, por mes lëvizjes nacionalçlirimtare dhe imperializmit. Forca e vendosur në luftën kundër imperializmit që shokët kinezë mbajnë, nuk është sistemi botëror i socializmit, as lufta e klasës punëtore ndërkombëtare, por edhe njëherë tjetër lëvizja nacionalçlirimtare. Në këtë mënyrë shokët kinezë, me sa duket, dëshirojnë që të fitojnë rrugën më të lehtë të popullaritetit mes popujve të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine. Por askush nuk mashtrohet nga kjo “teori”.

Racizmi

Që prej fundit të vitit 1961, përfaqësuesit kinezë në organizatat ndërkombëtare demokratike nisën ti shfaqnin haptazi idetë e tyre të gabuara... Ata dolën hapur kundër pjesëmarrjes së përfaqësuesve të komiteteve afro-aziatike të solidaritetit, të vendeve evropiane socialiste në konferencën e tretë të solidaritetit të popujve të Azisë dhe Afrikës në Moshi. Udhëheqësi i delegacionit kinez u tha përfaqësuesve sovjetikë se “të bardhët nuk duhet të ishin këtu”. Në konferencën për shtyp në Xhakarta, përfaqësuesit kinezë nuk i lejuan gazetarët sovjetikë që të ishin të pranishëm si delegatë me të drejta të plota, me justifikimin se Bashkimi Sovjetik nuk ishte një vend aziatik.

Diskutimet borgjeze

Duke përmendur tërthorazi faktin se partia jonë shpall si detyrë të sajën luftën për një jetë më të mirë për njerëzit, udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze lënë të kuptohet një lloj “borgjezimi” dhe “përtëritje” të shoqërisë sovjetike. Për të ndjekur linjën e tyre të të menduarit, del se, nëse njerëzit ecin me sandale lëvoreje, hanë supë të holluar në një tas të zakonshëm, ky na qenka komunizëm dhe nëse një njeri punëtor jeton mirë dhe dëshiron të jetojë edhe më mirë në të ardhmen, kjo na qenka pothuajse e barasvlefshme me vendosjen e regjimit kapitalist.

Kulti i Stalinit

Udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze morën mbi vete rolin e mbrojtësve të kultit të personalitetit dhe përhapjen e ideve të gabuara të Stalinit. Ata po përpiqen tu imponojnë partive të tjera, praktikat, ideologjinë dhe zakonet, format dhe metodat e udhëheqjes që lulëzonte në kohën e kultit të personalitetit. Ne duhet ta themi haptazi se ky është një rol që nuk është për tu pasur zili, e që nuk do tu sjellë atyre as nder e as lavdi... Atmosfera frikësuese, dyshuese, e pasigurt, e cila ka helmuar jetën e njerëzve në kohën e kultit të personalitetit, ka shkuar njëherë e përgjithmonë dhe nuk do të kthehet më kurrë. Është e pamundur që të mohosh faktin se populli sovjetik tani jeton më mirë, shijon të mirat e socializmit...

Uniteti komunist

Udhëheqësit kinezë janë duke minuar unitetin jo vetëm të kampit socialist, por gjithashtu edhe të të gjithë lëvizjes botërore komuniste, duke nëpërkëmbur parimet e internacionalizmit proletar dhe duke dhunuar veçanërisht normat dhe marrëdhëniet mes partive vëllazërore. Udhëheqja e Partisë Komuniste Kineze organizon dhe mbështet grupet antiparti të tradhtarëve, të cilët dalin kundër partive komuniste në Shtetet e Bashkuara, Brazil, Itali, Belgjikë, Australi dhe Indi... A duhet të jetë ndokush i befasuar që propaganda imperialiste gëzohet me veprime të tilla të shokëve kinezë? Nuk është rastësisht që shtypi borgjez bën shpesh thirrje për një “krizë” në Lëvizjen Ndërkombëtare Komuniste dhe nxit qeveritë imperialiste që të përdorin dallimet e shkaktuara nga pozicioni i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze për hir të interesave të tyre.

Shqipëria dhe Jugosllavia

Shumica dërrmuese e partive komuniste dhe të punës, e dënuan vendosmërisht veprimtarinë antileniniste të udhëheqësve shqiptarë. Udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze morën krejtësisht një qëndrim tjetër dhe bënë gjithçka për të përdorur udhëheqësit shqiptarë si megafonë të tyre. Tani dihet që shokët kinezë i kanë shtyrë ata haptazi në rrugën e luftës kundër Bashkimit Sovjetik, vendeve të tjera socialiste dhe partive vëllazërore.... Komunistët sovjetikë e dinë se dallimet për një sërë çështjesh ideologjike vazhdojnë në mbeten mes Partisë Komuniste Sovjetike dhe Lidhjes (Partisë) Komuniste Jugosllave... por do të ishte gabim po ta “përjashtonin” Jugosllavinë për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve nga socializmi, - për ta copëtuar atë nga vendet socialiste dhe për ta shtyrë në kampin e imperializmit, ashtu siç po bëjnë udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze. Kjo është pikërisht ajo çka dëshirojnë imperialistët.

Për takimin aktual sovjeto-kinez

Një takim i delegacioneve të Partisë Komuniste Sovjetike dhe Partisë Komuniste Kineze po mbahet në Moskë në këto momente. Fatkeqësisht, përfaqësuesit e Partisë Komuniste Kineze vazhdojnë ta përkeqësojnë situatën. Pavarësisht kësaj, delegacioni i Partisë Komuniste Sovjetike shfaq durimin maksimal dhe gjakftohtësinë, duke punuar për arritjen e rezultateve të kënaqshme nga negociatat. E ardhmja e afërt do të tregojë nëse shokët kinezë janë dakord që ti ndërtojnë marrëdhëniet tona në bazë të asaj çka na bashkon dhe jo na ndan, mbi bazë të principeve të marksizëm-leninizmit.
Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›