E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti Ndërministror Mirel: “Dy kriteret që ju fusin në BE”

Autori i Lajmit: Redaksia
Marrja e statusit të vendit kandidat duket se do të jetë një sipërmarrje e vështirë për Shqipërinë për sa kohë që mazhoranca dhe opozita nuk gjejnë gjuhën e dialogut dhe kompromisit. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Pierre Mirel, ka përsëritur edhe në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit se kriteri politik është parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Një tjetër çështje, e cila duket se do ta vërë qeverinë shqiptare sërish në një pozicion të vështirë dhe që përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Mirel, e rendit në kriteret thelbësore në përgatitjen e opinionit edhe çështja e pronave. Gjatë kësaj mbledhjeje, që kishte në fokus përgatitjen e qeverisë për marrjen e pyetësorit, kryeministri Sali Berisha është ndalur tek kriteri politik duke theksuar se Shqipëria ka kaluar tashmë një provë të rëndësishme si ajo e zgjedhjeve. Për sa i përket pyetësorit, ministrja e Integrimit, Bregu, ka deklaruar se strukturat e administratës janë tashmë gati dhe do të jenë 800 nëpunës, të cilët do tu përgjigjen pyetjeve të KE-së. Kriteri politik si një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat është theksuar shpesh nga figura të rëndësishme të KE-së dhe mbetet deri më tani një prej çështjeve më të vështira që politika duhet të zgjidhë.

Deklarata

Përfaqësuesi i BE-së ka shpjeguar dje procedurat e mëtejshme që duhet të ndjekë Shqipëria për tu integruar në BE. “I pari, sigurisht, është vënia në zbatim e marrëveshjes dypalëshe, ajo që ne e quajmë një historik të vënies në zbatim. Ne kemi treguar se deri tani ka pasur një zbatim të kënaqshëm, por ne do të shohim edhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë p.sh. me administratën doganore. Në disa raste do të shohim se si administrata doganore i vë në zbatim këto rregulla që kanë të bëjnë me vlerësimin doganor. Ose p.sh., ne do të shohim TVSH-në, nëse ajo aplikohet në kohën e duhur, dhe unë e di që për zotin kryeministër kjo ishte një çështje e rëndësishme. Pra, këto janë disa nga ato gjëra që ne do të shohim me kohë”, - tha ai. Elementi i dytë, që është edhe shumë i rëndësishëm, tha përfaqësuesi i KE-së, janë kriteret politike. “Dhe, në fakt, janë pikërisht këto kritere politike apo plotësimi i tyre parakushti për të rekomanduar apo për të mos rekomanduar një vend aplikant. Gjithashtu, ne do të shohim edhe një seri kriteresh të tjera që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike, por më saktë një grup të caktuar, pra do të shohim nëse ekonomia e tregut funksionon siç duhet”, - pohoi Mirel. Përfaqësuesi i KE-së theksoi edhe ato që i quajti nënkritere të funksionimit të ekonomisë së tregut, ndër të cilat theksoi si më të rëndësishmen çështjen e pronësisë. “Pra, e drejta e pronësisë dhe po ashtu respekti për kontratën janë elementë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike. Po ashtu, ne do të shohim edhe pjesën tjetër të standardeve evropiane. Ju do të duhet që të raportoni edhe për çështje të tjera si p.sh. ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm, etj, por kriteret më të rëndësishme kanë të bëjnë me kriteret politike dhe tregu funksional”, - tha ai. Më tej Mirel pohoi se, pasi të merren përgjigjet, do të bëhet shqyrtimi i tyre dhe për paqartësi do të merret informacion shtesë nga ministritë përkatëse. “Po ashtu, ne do të dërgojmë disa misione ekspertësh në Shqipëri, në mënyrë që ata të konfirmojnë që ajo që është shkruar në letër është edhe realiteti në terren. Ashtu siç bëjmë edhe me Progres-raportin çdo vit, ne do të marrim edhe mendimin e të tjerëve përveç qeverisë, se përndryshe do të ishte tepër e lehtë”, - tha ai. “Ne kemi nevojë për ju që të përgatisni Shqipërinë dhe ju keni nevojë për ne që të bindim shtetet anëtare për përgatitjen tuaj. Prandaj, le të punojmë së bashku që të arrijmë disa përgjigje dhe në fund një vlerësim që të jetë i balancuar dhe i besueshëm”, - përfundoi Mirel.

Lohan: “Bojkoti i opozitës, ngecin reformat”

Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, thotë se qëndrimi i opozitës jashtë Parlamentit ka shkaktuar një gjendje ngecjeje për sa u përket reformave. Duke folur në një emision televiziv, ambasadori Lohan tha se vendi i opozitës është në Parlament, ndërsa u shpreh qartë se situata politike ndikon drejtpërdrejt në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Ne nuk jemi arbitër. KE nuk ka për qëllim që të jetë arbitër. Mesazhi ynë është që një nga kriteret kryesore për anëtarësim në BE është stabiliteti i demokracisë në vend. Stabiliteti i demokracisë duhet të mbështetet në një parlament funksional dhe parlamenti funksional duhet të mbështet në praninë e deputetëve të zgjedhur dhe nga ky parim mund ti kthehemi sërish diskutimit që kemi bërë më parë në lidhje me reformat që duhet të miratohen, përmirësimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor dhe që janë sugjeruar në raportin e OSBE/ODIHR. Pra të gjitha këto çështje mund të trajtohen brenda parlamentit dhe jo jashtë tij”,- tha Lohan. Pyetjes në do ta quante situatën politike në Shqipëri në krizë ambasadori iu përgjigj: “Unë shikoj që ka një gjendje ngecjeje në zhvillimin e reformave në Shqipëri. Pra një gjendje ku kemi ngecur për arsye të mungesës së mazhorancës së kualifikuar në parlament”.
Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›