E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashashi, në pranga furnitorët e gjimnazit

Eduart Xhepexhiu e paketonte drogën në shtëpi, në dhomën ngjitur me atë të fëmijëve të tij

LUSHNJË - Ishin bërë burimi kryesor i furnizimit me lëndë narkotike të gjimnazistëve, por këtë herë u mbeti në dorë i gjithë “malli” dhe cigaret e hashashit. Policia e Lushnjës arrestoi në orët e vona të natës së të mërkurës dy persona si shpërndarës të lëndëve narkotike, ndërkohë që një i tretë është shpallur në kërkim. Eduart Xhepexhiu, 40 vjeç dhe Robert Cerria, 24 vjeç, të dy banorë të lagjes “Gafurr Muço” në Lushnjë, janë kapur në flagrancë me 180 qese farmacie të mbushura me kanabis sativa dhe sasi të konsiderueshme cigaresh hashashi për përdorim.

Cerria është kapur në flagrancë me 28 gramë hashash dhe ka treguar për policinë se lëndën narkotike e blinte tek Xhepexhiu. Sipas policisë, Xhepexhiu dhe Cerria ua shisnin lëndët narkotike nxënësve të shkollave të mesme dhe të rinjve të tjerë të qytetit. Prej tre muajsh ata mbaheshin nën vëzhgim nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Antidrogës, si shpërndarësit kryesorë të rrjetit në qytetin e Lushnjës. Sipas policisë, arrestimi i 40-vjeçarit Eduart Xhepexhiu është bërë në banesën e tij, ku i janë sekuestruar edhe 180 qeset të mbushura me lëndë narkotike gati për treg.

“Gjithçka ishte e paketuar dhe e mbyllur në qese që përdoren për ilaçe në farmaci”, tregojnë inspektorët e antidrogës. Sipas tyre, 40-vjeçari Eduart Xhepexhiu jetonte në një banesë private dhe paketimin e lëndëve narkotike apo shpërndarjen e tyre, si dhe çdo punë tjetër në këtë familje bëhej në dhomën ngjitur me të fëmijëve. Policia në momentin e futjes në banesë ka gjetur të gjithë pjesëtarët e familjes, ndërsa në dhomën tjetër kryefamiljari kryente paketimin e lëndëve narkotike dhe ndarjen e tyre nëpër qese. Vëllai i 40-vjeçarit, Klajdi Xhepexhiu, 25 vjeç, pasi ka marrë vesh për ndalimin e Eduartit, është larguar në drejtim të paditur dhe është shpallur person në kërkim. Shpërndarja dhe shitja e lëndëve narkotike kryhej me mjetin tip “Benz” me targë LU 9639 B, i cili është sekuestruar nga policia në cilësinë e provave materiale. Blutë po hetojnë për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›