E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia fitoi pak kohë por i dogji frenat e saj

20-06-2012 / “Kathimerini”

Zgjedhjet e 17 qershorit na lejojnë të mbajmë një kanal të hapur komunikimi me partnerët tanë në mënyrë që të punojmë mbi një plan të ri për një rrugëdalje nga kriza me sa më pak paqëndrueshmëri të jetë e mundur. Por, me shumë gjasa ne vetëm sa kemi ngadalësuar turrin drejt humnerës dhe kemi djegur frenat gjatë këtij procesi. Në mënyrë që gjerat të fillojnë të ndryshojnë, partitë që do të ulen në Parlamentin e ri do të duhet të kapërcejnë vetveten - bash në kohën kur disa ndjehen të justifikuar në pozicionet që kanë marrë teksa të tjerat, të plagosura thellë, do iu qepen politikave të tyre me dëshpërim edhe më të madh. Në të gjithë rastet, është e vështirë të shpresosh për një shpirt të ri bashkëpunimi. Fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë Demokracia e Re e qendrës së djathtë, e cila u rëndit e para me pothuajse 30% të votave, dhe radikalët e majtë të SYRIZA-s, përqindja e votave të së cilës fluturoi nga më pak se 5 % në vitin 2009 në 17 për qind në maj dhe në rreth 27 % dje (pardje). Megjithatë, as njëra dhe as tjetra nuk arritën shumicën e nevojshme. SYRIZA e ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në asnjë qeveri, madje edhe nëse Demokracia e Re dështon në përpjekjet e saj për të krijojë një koalicion qeverisës dhe mandati kalon tek partia e dytë. SYRIZA, me erën anti-kursim në velat e saj, do të jetë një forcë e fuqishme opozitare. Ajo këmbëngul se memorandumi, i cili kërkon reforma në shkëmbim të dorëzanive, është anuluar nga vota e fortë kundër masave të kursimit në muajin maj, dhe se politikave të kërkuara nga memorandumi “u mungon legjitimiteti popullor”. Sikundër është shprehur edhe lideri Aleksis Cipras, SYRIZA “do të jetë prezent në të gjitha zhvillimet”. Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, ka një detyrë të vështirë përpara: pikë se pari ai duhet të krijojë një koalicion, ose vetëm me PASOKU-n ose me PASOKU-n dhe të Majtën Demokratike (DHMAR) së bashku, dhe më pas të përpiqet të qeverisë në një kohë që kërkon vendime të vështira. SYRIZA ka forcën dhe çdo arsye që t’i kundërvihet marrëveshjes së dorëzanisë në mënyrë që të konfirmojë mospranimin e saj. Ndërkohë që Samarasit, për të krijuar një qeveri, do t?i duhet të pranojë kërkesat e partnerëve të tij potencial, mirëpo përgjatë karrierës së tij ka treguar në mënyrë të përsëritur se e ka tepër të vështirë të bëjë kompromise dhe të bashkëpunojë. PASOK-u është në konfuzion. Edhe pse e kishte të qartë se disa mbështetësit e saj do të votonin për Demokracinë e Re, kështu që ajo do të renditej e para në zgjedhje dhe në këtë mënyrë do të merrte bonusin prej 50 deputetësh si kryesuese, partia e Venizelosit gjithsesi ia doli të mbante përqindjen e votave që fitoi në maj (12- 13%). Mirëpo PASOK-u është ende e frikësuar se do të humbë më shumë mbështetës kundrejt Syrizas. Natën e kaluar, lideri i partisë, Evangelos Venizelos, ripërsëriti se nuk do të hyjë në një koalicion që nuk përfshin edhe SYRIZA-n - e cila sigurisht që nuk ka asnjë arsye pse të vuajë koston politike të një qeverie nga e cila vetë PASOK-u druhet. DIMAR-i me 17 karriget në Parlament nuk do të jetë i mjaftueshëm për Demokracinë e Re (e cila ka 130 deputetë) që të formojë një qeveri të re pa ndihmën e PASOK-ut (me 33). Gjithsesi, as DIMAR-i nuk do të hyjë në qeveri pa SYRIZA-n. Sidoqoftë, një qeveri e mundshme, e udhëhequr nga Demokracia e Re, do të jetë me partnerë që do ta kenë të vështirë të punojnë me këtë parti, që nuk kanë lidhje ideologjike me të dhe frika se mos humbin më shumë vota në favor të SYRIZA-s do t?i bëjë të kenë kërkesa që do t’i lidhin duart Samarasit. SYRIZA, e djathta ekstreme, grekët e pavarur nacionalistë dhe neonazistët e Agimit të Artë, të cilat tok së bashku dolën nga zgjedhjet me më shumë vetëbesim, sikundër edhe partia Komuniste (përqindja e votave të së cilës pothuajse u përgjysmua në vetëm një muaj, nga 8.5% në 4.5%) do të refuzojnë çdo kompromis me qeverinë. Të gjitha partitë do të qepen pas politikave të tyre - qoftë edhe ngase ndjehen të justifikuar nga rezultati i zgjedhjeve, ose ngase ndjejnë se kanë humbur vota pasi nuk i shtynë përpara sa ç’?duhet politikat e tyre. Kjo do të çojë në një spirale të pafundme konflikti. Në një kohë kur për të implementuar reformat në Greqi dhe për të negociuar me partnerët tanë janë të domosdoshme vendime të vështira, ka shumë pak gjasa që ne të shohim një konsensusin e nevojshëm kombëtar. Në vend të kësaj, me shumë gjasa ne do të kemi paqëndrueshmëri dhe zgjedhje të reja. Le të shpresojmë se partitë tona do tejkalojnë vetveten dhe të na provojnë se ne kemi gabuar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›