Greqia i kërkon BE-së dhe FMN-së këstin e parë të ndihmës
Qeveria greke i kërkoi Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar këstin e parë prej 20 miliardë eurosh nga huaja prej 110 miliardësh që i është akorduar për një periudhë trevjeçare vendit helen.
Ministria greke e Financave deklaroi se i është dërguar një letër Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe FMN-së me të cilën kërkohet aktivizimi i mekanizmit të ndihmës. "Dhënia e këstit të parë, që parashikon lëvrimin e 14.5 miliardë eurove nga BE-ja dhe 5.5 nga FMN-ja, duhet të jetë i menjëhershëm, ndoshta brenda ditës", shtoi i njëjti burim.
Ndërkaq qeveria greke ka miratuar, si pjesë të mëtejshme të programit të saj të kursimit, shkurtimin në masë të gjithanshme të pensioneve.