E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri gratë e Silvia Plath

Ajo është "violina e parë". Është arsyeja për të cilën Ema Andrea ka zgjedhur të ngjisë në skenë poemën "Tri gra". Që kur e njohu para disa vitesh, në Itali, u bë pjesë e rrjedhës së veprës së saj. Që nga ajo kohë, aktorja dhe regjisorja Ema Andrea kishte një ide fikse në kokë. Duhej medoemos të sillte në skenën shqiptare veprën e Silvia Plath. Shkrimtarja ishte një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë amerikane të shekullit të shkuar. Ajo kishte një nevojë të dëshpëruar për t‘u afirmuar. Ishte në një konflikt të përhershëm mes aspiratave personale dhe rolit që duhej të luante jo vetëm si nënë, por edhe atij të vendosur nga shoqëria. Secili e gjen veten në gjithë sa Silvia shkruan. Është e sinqertë, e drejtpërdrejtë, e thellë, e prekshme, një qenie thuajse e përsosur, në një betejë të përhershme mes të përditshmes së zakonshme dhe shpirtit të saj të jashtëzakonshëm.

Vitin që shkoi, Ema vendos t‘i japë jetë projektit të cilin e prezantoi në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata e mbështetën menjëherë. Sot, "Tri gra", Yllka Mujo, Ema Andrea dhe Loredana Gjeçi do të ngjiten në skenën e Akademisë së Arteve. Ato do të interpretojnë tri zërat e poemës radiofonike të Silvia Plath, e cila për herë të parë u transmetua nga BBC në vitin 1962. Ato do të sjellin tre monologë. Do të rrëfehen secila për të njëjtën gjendje, të cilën e përjetojnë në mënyra të ndryshme. Tri gratë takohen në maternitet. Aty gërshetohen eksperiencat, ndjesitë, ndjenjat, gjendjet shpirtërore të rrëfyera prej vetë protagonisteve. Teksti është kompleks. Ai vjen nëpërmjet udhëtimeve të mendjes, hapësirave fizike, dhimbjes, ndryshimit të trupit, marrëdhënia me natyrën dhe ciklin jetësor. Të treja e përjetojnë shtatzëninë si një ngjarje natyrale, si një pritje, si një dënim, si një ëndërr, si një dhimbje... Materniteti është vendi i rrëfimit. Aty marrin jetë historitë e tyre personale, mendimet e dhimbjet edhe fizike të protagonisteve. Mëmësinë ato e përjetojnë ndryshe nga njëra-tjetra. Po kaq të ndryshme janë edhe zgjedhjet që vendosin t‘i japin jetës... Poema zhvillohet nëpërmjet përjetimit të brendshëm të këtyre tri grave përballë rrumbullakësisë, shtatzënisë së tyre. Ato janë tri zëra që gërshetohen, por që nuk preken asnjëherë. Nuk i përgjigjen njëra-tjetrës, por që nuk mund të shkojnë me mungesën e njërës. Tema është ajo e mëmësisë. Të treja gratë janë në pritje. Janë tri profile grash të cilat e shohin mëmësinë nga perspektiva të ndryshme. Zëri i parë, Yllka Mujo, interpreton nënën që e ka pranuar ekzistencën e fëmijës brenda vetes. Ajo i uron mirëseardhjen krijesës së saj. Zëri i dytë, Ema Andrea, nëna që do ta dështojë fëmijën. Ndërsa zëri i tretë, Loredana Gjeçi, është më e reja prej nënave. Ka vendosur ta lindë dhe ta braktisë foshnjën. Në të treja këto procese, secila ka arsyet e veta të forta që përligjin veprimet. Ato janë tri gra sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme. "Në këtë poemë gjen të përmbledhur të gjithë ciklin e jetës. Aty është vetë Silvia Plathi. Në një formë, mendoj se kjo poemë është autobiografike. Ajo është e njëjta femër që vjen në dimensione të ndryshme", tregon aktorja dhe regjisorja Ema Andrea. Sipas saj, gjatë gjithë kohës që zhvillohet poema, vihet re raporti i femrës me natyrën. Vetë poetja e ka bërë veten pjesë të këtij cikli e lexuesi apo interpretuesi nuk mund të jetë indiferent ndaj kësaj gjendjeje. "Vjen në këtë poemë edhe raporti që gratë kanë meshkujt. Ata janë pjesa e sheshtë e natyrës, jo pjesa e rrumbullakët e saj, siç janë në të kundërt gratë. Edhe skenografia është e gjitha e sheshtë, pasi rrumbullakësia në skenë janë vetë femrat. Por ai që mbizotëron në këtë vepër është pikërisht raporti që secila prej tyre vendos me fëmijën. Në fund, secila i kthehet të përditshmes, por pas këtyre eksperiencave nuk janë më njësoj", vazhdon më tej Andrea.

Ajo thotë se në këtë vepër nuk ka aksion në kuptimin e vërtetë të fjalës. "E gjitha është një luftë ekzistence, një mendim i brendshëm që të bërtet në kokë. Është akti i lindjes, i dështimit. Kjo poemë, që është shumë afër të vërtetës, besoj se do të jetë edhe shumë pranë publikut shqiptar. Dëshira ime ishte që të njihet Silvia Plath në Shqipëri. Besoj se ky do të ishte një impakt shumë direkt dhe besoj se do ta joshë spektatorin të njihet me Silvia Plath, pavarësisht nga shfaqja. Violina e parë në këtë shfaqje është pikërisht ajo", shprehet Ema Andrea. E gjithë vepra do të shoqërohet prej tre harqeve që do të jenë ‘live‘ në skenë. Skenografia është po kaq ekstreme, sureale por edhe shumë natyraliste. "Në skenë ka elementë natyralë dhe interpretimi ynë është me objekte reale shumë natyrale, raportet tona janë të abstraguara", komenton ajo.

"Tri gra" do të vazhdojë të shfaqet në Akademinë e Arteve deri më datë 17 dhjetor. Poema u shqipërua nga Astrit Çani. Më parë, Ema kishte menduar që me rastin e premierës së veprës në Tiranë, së bashku të mund të sillte të publikuar edhe në një botim të shkrimtares amerikane. Botimi është shtyrë për vështirësi, megjithatë shfaqja do të ngjitet në skenë për të njohur publikun me "Tri gratë" e Silvia Plath.

Silvia Plath

E shkruara mbetet pas

Shkrimtarja amerikane, Silvia Plath, ishte shumë e lidhur me të ëmën, e fiksuar pas vdekjes së të atit. Për herë të parë tenton të vrasë veten kur ishte vetëm 21 vjeçe. Më pas martohet me poetin bukurosh anglez, Ted Hughes, i cili e braktis pas një periudhe bashkëjetese. Nënë e dy fëmijëve, ajo vret veten në moshën 30-vjeçare, në vitin 1963. Përveç romaneve, Silvia Plath ka shkruar gjithnjë poezi. Të fundit para se të vetëvritej e titulloi "Humnera". E torturuar prej ankthit të të jetuarit, por edhe të të shprehurit, që ishte në kontradiktë me rolin e saj si grua dhe nënë, e tejlodhur nga konflikti i të jetuarit jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët, 30-vjeçarja Silvia Plath la pas një pafundësi poezish të dhunshme dhe të dëshpëruara, si dhe një element të vetëm çrregulli në kuzhinë: trupin e saj pajetë.

Me vitet ajo kthehet në një rast të pazëvendësueshëm në letërsi. Janë të shumta botimet pas vdekjes së saj: "Duke kaluar ujin", "Pemë dimri" e mbi të gjitha "Ditari" i saj i famshëm i publikuar në vitin 1971 nga ish-bashkëshorti Ted Hughes. Ajo lindi në Boston, më 27 tetor të vitit 1932. Që në fëmijërinë e hershme Silvia nis të kompozojë vargjet e para. Më vonë bashkëshorti i saj do të tregonte se Silvia ishte shumë e kujdesshme ndaj gjithë sa shkruante. I kushtonte kujdes çdo fjale, konsultonte pambarimisht fjalorin. Ambicia e saj më e madhe ishte përsosmëria. Fantazia e saj është e pasur, gati sureale. Dëshiron të depërtojë deri aty ku fjalët krijojnë lidhjen magjike. Kur ishte 12 vjeçe nis të publikojë poezitë e para. Përveç romaneve dhe poezive, Silvia Plath ka lënë pas edhe disa botime për fëmijë. Në këto histori kushtuar të vegjëlve nuk ka asnjë gjurmë të ankthit, të ndjenjës së vdekjes, të maktheve në mes të natës. Këtu jeta e përditshme e saj është e qetë dhe përsosmërisht e jetueshme. Ndërsa poezitë e saj dëshmojnë talentin dhe aftësitë e saj të mëdha intelektuale, ditari i saj përshkruan betejën e saj personale me të përditshmen, shpresën dhe frikën e saj, historitë për fëmijë rrëfejnë një tjetër anë të personalitetit të Silvias: atë anë që dëshironte të jetonte në një botë të thjeshtë dhe të lumtur; ku problemet mund të zgjidhen pa asnjë vështirësi dhe ku gjithçka mund të ketë një fund të lumtur. "Për mua e tashmja është përjetësi dhe përjetësia është përherë në lëvizje. Ky çast është vetë jeta. Dhe kur kalon, vdes. Por nuk mund t‘ia nisësh nga e para pas çdo çasti. Asgjë nuk është reale përveç së tashmes, dhe unë që tani ndihem e mbytur prej peshës së shekujve. Rreth 100 vite më parë, edhe një vajzë jetoi njësoj si unë. Pastaj vdiq. Unë jam e tashmja, por e di që edhe unë do të largohem. Çasti është sublim dhe unë nuk dua të vdes". Dhe ajo vërtet që nuk dëshironte të vdiste. Zgjidhjen e gjeti në letërsinë e saj. E jetuara dhe e shkruara për të ishin një binom mjaft i komplikuar. Ishte e vështirë për një shkrimtare të mos arrinte të kapte mendimet e saj, që e kishte të vështirë të gjente se "çfarë t‘i kërkonte jetës". Ajo shpresoi të gjente një formulë për të qenë "perfekte si Zoti". "Ky është misioni im, puna ime. Kjo i jep një emër dhe një kuptim ekzistencës sime: ‘Të kthej çastin në përjetësi‘. E shkuara shpërthen varret e të vdekurve dhe qiejt që engjëjt fshehin pas tyre. E shkuara është ajo që mbetet pas: udhëton e vetme nëpër botë". Dhe vërtetë, që e shkruara e saj mbeti pas. Ajo është e vetmja poete që u vlerësua në vitin 1982, me çmimin "Pulitzer".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›