Greqia, kritere të reja për pakicat greke në Shqipëri
Instituti grek i Pensioneve (OGA) ka njoftuar se do të ndryshojë kriteret për përfitimin e pensioneve nga pakica greke dhe “homogjenët” nga Shqipëria. Në ndryshimin e kritereve hyjnë dokumentet që duhet të disponojnë kërkuesit dhe mosha nga e cila do përfitojnë.
Dokumentet që duhet të paraqesin të interesuarit janë kopje të noterizuara të kartës së identitetit grek, certifikatë familjare, që është dhënë së fundi për të vërtetuar lidhjet familjare në Greqi, pensionet e përfituara nga Shqipëria ose nga Greqia, një dokument zyrtar që tregon numrin e sigurimeve, gjendjen civile dhe moshën e personit dhe të bashkëshortit, ku të theksohet nëse i ka kaluar 65 vjet dhe së fundi, në mes dokumenteve do të kërkohet edhe një kopje e letrës së dërguar nga Instituti i pensioneve OGA. Instituti bën të ditur se dorëzimi i të gjithë dokumentacionit është parakusht për vazhdimin e marrjes së pensionit të dhënë nga shteti grek. Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për të gjithë pensionistët, është zgjatur deri më 15 korrik 2011. Personat të cilët përfitonin pension nga Greqia, që jo zyrtarisht llogariten mbi 20 000 persona, merrnin mesatarisht 400 dollarë në muaj dhe në kushtet e krizës ekonomike, autoritetet greke kanë vendosur të rishikojnë kriteret për të shmangur abuzimet e mundshme.