Greqia kthen 2 shtatoret antike të grabitura më 97-n në Butrint e Finiq
Pas 11 vitesh Greqia kthen 2 shtatoret antike të grabitura më ’97-n në Butrint e Finiq
Pas 11 vitesh mungesë, shtatoret antike të Apollonit dhe Artemidës do të rikthehen në vendin e tyre të origjinës. Ditën e djeshme shteti grek i ka rikthyer Shqipërisë dy shtatoret e grabitura gjatë trazirave të vitit ’97 në Finiq dhe Butrint, të cilat më pas ishin trafikuar në tokën helene. Ceremonia e rastit u mbajt në kryeqytetin grek të Athinës, në praninë e dy krerëve të ministrive të Kulturës së Shqipërisë e Greqisë, Pango dhe Liapis. Në fjalën e tij ministri grek i Kulturës tha se “Greqia riatdheson objektet e trafikuara të trashëgimisë kulturore me shpresën që do të ketë edhe imitues të të tilla veprimeve, në vende të tjera. Objektet u evidentuan në vitin 2003 në Pire si të vjedhura në Butrint. Trafikuesit janë ndjekur penalisht. Me këtë akt, shteti grek i jep fund trafikimit të objekteve kulturore. Sot ftoj homologët për një periudhë të re bashkëpunimi mes muzeumeve, në mënyrë që edhe ata të kthejnë të gjitha objektet e vjedhura, që kanë nëpër muzeumet e tyre. Kjo do të jetë një nismë, në mbrojtje të vlerave, që na rrethojnë”. Pango, në fjalën e tij është shprehur: “E mirëpres kolegun Liapis për bashkëpunim të mëtejshëm. Kjo nismë është në zbatim të Konventës Europiane për kthimin e objekteve të vjedhura. Ceremonia e sotme është pjesë e integrimit europian, frymë shumë e ngrohtë dhe fillim i një bashkëpunimi të gjatë dypalësh, për të kthyer në Greqi dhe në Shqipëri, edhe monumente të tjera, që ndodhen në Europë”.
8 Shkurt 2008