Dy vjet nga ndarja me mjeshtrin Ibrahim Kodra
Dje është zhvilluar një ceremoni përkujtimore në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe është shfaqur një dokumentar në kujtim të piktorit të shquar shqiptaro-italian
Petrika GROSI
“Galeria Kombëtare e Arteve e kujton me respekt artisin Kodra, prej të cilit ruan në fondin e veprave të saj disa punime në vaj”. Kështu është shprehur dje në ceremoninë përkujtimore të organizuar në ambientet e GKA-së në kryeqytet, studiuesja Suzana Kuka Varvarica. Tashmë bëhen dy vjet nga ndarja me piktorin e shquar shqiptar Ibrahim Kodra. Sipas Varvaricës, këto vepra të lëna nga Kodra kanë një rëndësi të jashtëzakonshme historike, pasi janë imazhe të fillimeve të para krijuese të tij. Pas ceremonisë përkujtimore në sallën e Bibliotekës të GKA-së artistët, studiuesit dhe të ftuarit e tjerë të pranishëm në këtë aktivitet kanë ndjekur filmin dokumentar "Arte Dimensione" mbi krijimtarinë e artistit, si dhe 11 foto nga riorganizimi e restaurimi i Shtëpisë Muze “Ibrahim Kodra” në Milano.
Studiuesja Suzana Varvarica kujton se “... gjithashtu, në mjedisin e GKA-së, maestro Kodra është shpallur ‘Nderi i Kombit’ nga Presidenti i Republikës asokohe Sali Berisha (1996). Vizita e tij e fundit në Shqipëri, Tiranë dhe Durrës, shënohet në korrik 2004 dhe është shoqëruar me një ekspozitë të çelur në GKA”.
Kodra cilësohet si një artist i spikatur dhe i vlerësuar në kontekstin ndërkombëtar si personalitet artistik me diversitete të rëndësishme të formës dhe substancave artistike, si dhe një prej protagonistëve të artit bashkëkohor. Ai ka marrë pjesë në veprimtari të rëndësishme të kohës së tij, si Bienalja e Venecias, Kuatronalet e Romës, në galeri publike të qendrave historike të Romës, Palermos, Milanos etj. Përsa i përket krijimtarisë së Kodrës, ajo bën pjesë në koleksionin e Muzeut të Vatikanit, Dhomën e Deputetëve të Romës, e po kështu edhe në galeri të ndryshme shtetërore e private nëpër botë. Piktori shqiptar ka lindur më 1918-n në Ishëm të Durrësit. Më pas, falë një burse të dhënë nga Mbretnia e Shqipërisë më ’38-n Kodra do të nisej me studime në Itali, ku do të fitojë një tjetër bursë nga qeveria italiane për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Milanos. Më ’44-n Kodra do të hapë studion e parë personale në Milano, ndërsa më ’47-n piktori nisi të marrë famën e tij.
8 Shkurt 2008