E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morfologjia e trupit, si të përgatisni veshjen perfekte

Merita Toçila
Një hap i rëndësishëm në kryerjen e një veshjeje është njohja e trupit, sepse mbi këtë trup ju do të përgatisni veshjen tuaj. Keni një formë të përcaktuar që duhet t`i jepni imazhin tuaj. Do të shihni si është i ndërtuar, raportet e trungut me gjymtyrët, raporti i gjerësisë së gjoksit me atë të vitheve. Kjo njohje quhet morfologji trupi. Ka dhe njohje më të gjerë se kaq, të cilat lidhen me formën e fytyrës, ecjen, qëndrimin etj., por për këto mund të flasim një herë tjetër. Për të stiluar dhe prerë një veshje, së pari duhet të keni një ide mbi atë që kërkoni të bëni, pas kësaj ju duhet të gjeni pëlhurën e përshtatshme, të bëni një kroki, ta vizatoni kallëpin, ta prisni copën sipas shënjimit, ta qepni, të bëni provën, ta rishikoni pasi t`i jepni dorën e fundit dhe së fundi ta vishni. Mund të shikoni çdo ditë raste kur një veshje është shumë e bukur, por nuk rri mirë, sepse personi nuk njeh morfologjinë e trupit. Që pamja juaj të jetë sa më e rregullt dhe e kënaqshme, shikoni me vëmendje se kujt kategorie i përkisni në mënyrë që të zgjidhni modelin, pëlhurën dhe qepjen e duhur.

Silueta në formë tete

Në këtë lloj trupi supet janë të rrumbullakosura, vithet janë në të njëjtën gjerësi me shpatullat, por dhe ato janë të rrumbullakosura tek ijet si dhe supet. Beli është i ngushtë. Ky lloj trupi është forma më perfekte femërore. Duke qenë perfekte, femrave me këtë trup u lejohet të veshin çdo gjë dhe të luajnë me të gjitha ngjyrat. Ato mund të vishen si në pasarela; të mbajnë xhaketa të gjata ose të shkurtra, fustane të ngushtë apo të gjerë, pantallona të drejta apo kauboj, xhinse me shtrat të shkurtër apo të lartë, pëlhura me lule, me vija, njëngjyrëshe, me aplikacion; çdo gjë u rri mirë. Në veshjet shik do të ndihen konfort.

Silueta në formën e orës së rërës

Ky lloj trupi ngjan me trupin në formë tete, supet janë të gjera sa vithet, por janë shumë të drejta, beli nuk është aq i theksuar, format janë më pak të bëshme dhe ngjan më tepër muskulor. Edhe ky lloj trupi futet tek idealët. Femrat me të tilla përmasa nuk kanë probleme për çdo lloj veshjeje, sepse u rrinë shumë mirë. Ato duhet të kenë vetëm një kujdes; japin idenë e një femre muskuloze prej supeve të drejta, ndaj duhet të jenë më femërore, fundet e shkurtra me xhaketa dhe çizme do t`u shkojnë më shumë, po ashtu dhe aksesorët për t`u dhënë alegri. Veshjet e gjera që mbulojnë format e trupit dhe të gjatat deri në fund të këmbëve nuk janë të rekomandueshme. Nuk kanë pse t`i mbajnë kur kanë një trup shumë të rregullt. Manekinët janë ndërtuar në bazë të këtij trupi. Do t`ishte e mrekullueshme sikur të gjitha femrat t`i kishin trupat si morfologjia tetë ose ora e rërës, por, edhe kur nuk janë përpiquni që me mbulimin e defekteve t`i afroheni sa më shumë këtyre formave trupore.

Silueta në formë piramide

Trupi piramidë është forma më e zakonshme femërore; supet janë të ngushta dhe të varura dhe pjesa tjetër e trupit deri te vithet vjen duke u zgjeruar. Në rastin e këtij trupi duhet të vihen në pah supet dhe të fshihen vithet. Zgjidhni rroba me supe (pra nuk duhet të mungojnë vatat), jakat përdorini në formë “V”-je ose jaka në formë syri. Evitoni veshjet me vija horizontale, fundet në formë kove (do të ishte më mirë t`i mbani me prerje të drejtë). Dhe pantallonat duhet të jenë të drejta dhe me pëlhura të mëndafshta. Xhaketat mund të jenë me model ushtarak dhe pulovrat e gjata me rrip në mes. Ndërsa ngjyrat duhet të jenë të kontrolluara. Ngjyrat e errëta do t`i përdorni për pjesën e poshtme të trupit, të kafenjtat, blutë, të zezën etj., që t`ju ngushtojë te vithet, kurse ato të çelura për pjesën e sipërme. Ose dhe kur ju pëlqen që të mbani ngjyra të hapura, do të luani me ngjyrat e ngrohta dhe të ftohta, gjithmonë për të arritur formën perfekte.

Silueta në formë piramide të përmbysur

Paksa mashkullor ky lloj trupi, por gjendet shpesh gjithsesi. Ka supe shumë të gjera dhe vithe të ngushta dhe të sheshta. Në këtë rast duhen zvogëluar në minimumin e mundshëm supet dhe të vihen në pah vithet. Mos mbani asnjëherë veshje me supe dhe vishni funde të gjata dhe me rrudha ose pantallona me shumë xhepa dhe me shtrat të shkurtër. Një rrip mesi do t’ju bënte shumë femërore. Evitoni çdo veshje që ju jep gjerësi te supet. Përderisa ky trup është e kundërta e atij më sipër dhe raporti i ngjyrave do të jetë i kundërt me atë që u përshkrua më lart. Ngjyrat e errëta për pjesën e sipërme që t`ju zvogëlojnë dhe ngushtojnë gjoksin dhe ngjyrat e hapura dhe të ngrohta për të realizuar zgjerimin e vitheve. Duke qenë morfologji pak mashkullore, femra me këtë trup duhet të ndryshojë ecjen, duke e bërë më femërore në mënyrë që t`i vihet në dukje beli.

Silueta në formë drejtkëndëshi

Ky lloj trupi është një drejtkëndësh i vërtetë. Gjerësia e supeve, belit dhe vitheve ndjekin të njëjtën linjë. Shpesh femrat me këtë lloj trupi janë me supe të ngushta dhe vithe të sheshta. Për të evituar drejtkëndëshin duhet krijuar iluzioni i formave. Rripat e gjerë në mes për të krijuar bel të ngushtë, fundet në formë kove për t`i dhënë gjerësi vitheve, bluzat me supe dhe rrudha për t`i dhënë gjerësi shpatullave, pantallonat me pjetina për të krijuar belin e munguar. Moda e viteve `60 për këto trupa është më e gjetura me xhaketat e prera disa centimetra poshtë gjoksit dhe të drejta duke krijuar një hapësirë rreth trupit, ku dallohet lehtësisht fustani për të dhënë idenë e një trupi me bel. Nuk duhet të mbajnë veshje me vija horizontale, sepse theksojnë më shumë drejtkëndëshin. Mund të mbajë kanotiere me rripa dhe vija të pjerrëta. Ngjyrat duhet të jenë përgjithësisht të ngrohta, me lule të mëdha.

Silueta në formë rrumbullake ose rrethore

Femrat e kolme, me bel jo të dukshëm, futen te siluetat rrumbullake. Kjo rrumbullakësi fillon që te supet dhe vazhdon deri te vithet. Për të evituar rrumbullakësinë, vishni veshje të ngushta pas trupit, pa shumë dekorime dhe më e mira do të ishte me pëlhura të mëndafshta. Përdorni tunikat e gjata për të fshehur vithet e gjera duke i dekoruar me një rrip që varet lehtas në ije, pantallonat me prerje të gjëra në fund, këmishët e lirshme prej mëndafshi. Duhet të evitoni veshjet me rrudha, me vija horizontale, me kuadrate të mëdha, bluzat e shkurtra me kapuç dhe pantallonat me shtrat të shkurtër. Me ngjyrat do të luani me të zezën e plotë, blutë, të kafenjtat dhe vijat kryesisht vertikale.

Silueta në formë ovale

Trupi në këtë lloj forme është pothuajse i njëjtë me trupin në formë piramide, sepse kanë të njëjtat supe femërore, por ndryshojnë në vithe, pasi këtu vithet janë të ngushta.
Ky lloj trupi duhet t`i japë pak gjerësi supeve, duke përdorur xhaketa me supe të theksuara, bluzat, fustanet do t`i mbani të gjitha me vata. Dhe vithet duhet t`i vini më pak në dukje në mënyrë që t`i jepni feminilitet siluetës tuaj. Për të fshehur dy defektet tuaja, supet dhe vithet e rëna mund të përdorni, veç të tjerash, bluza ose pulovra me jaka golf ose të gjera, bluza me kapuç, funde të drejta ose pantallona pa xhepa. Në ngjyra do të luani me të ngrohta dhe të hapurat në pjesën e gjoksit.
Ecja duhet të jetë shumë e kujdesshme për t`i dhënë lëvizje belit.

Tashmë, duke pasur njohuri për siluetën trupore do të jeni më të vëmendshme ndaj modeleve, ngjyrave, prerjeve duke ndihmuar veten dhe të tjerët për t`u dukur më të këndshëm në jetën e përditshme, apo në raste të veçanta të jetës suaj. Vini në dukje tiparin që keni më të bukur në kundërpeshë të defekteve. Duke qenë se veshja realizon marrëdhënien e trupit fizik me mjedisin dhe ndikon në marrëdhënien shpirtërore me njerëzit e tjerë, duhet t`i kushtoni rëndësi mënyrës se si visheni dhe për një veshje që do përgatisni, mbi çfarë kriteresh duhet të mbështeteni. Si përcjellëse e imazhit tuaj, përpiquni që ajo të jetë sa më perfekt. Nuk mund t`ia arrini që në herët e para, por më vonë do ta kuptoni që ia vlente mundimi.

Rubrika e modës nga stilistja dhe piktorja shqiptare Merita Toçila do të jetë çdo të premte, ekskluzivitet e gazetës “Albania”

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›