E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia lëshon leje për emigrantët që të votojnë më 28 qershor

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Zgjedhjet e 28 Qershorit

Qeveria greke do të pajisë ditët në vijim të gjithë emigrantët shqiptarë që punojnë dhe banojnë në shtetin fqinj helen si dhe do të lehtësojë me autobusë dhe transport të gjithë minoritarët grekë të Shqipërisë që jetojnë në Greqi që të vijnë masivisht dhe të votojnë për zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri. Deklarata është bërë nga Ministria e Jashtme Greke dhe pikërisht nga ministrja Dora Bakojanis pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe kryetarin e Bashkisë së Himarës dhe OMONIA-s Vasil Bollano në Athinë. Sipas mediave greke, dy eksponentët më të lartë të politikës në minoritetin grek në Shqipëri, i kanë kërkuar ministres Bakojanis së pari që qeveria greke të lëshojë leje të posaçme për emigrantët shqiptarë me qëllim që të votojnë më 28 qershor si dhe të financojë transportin për gjithë komunitetin e minoritetit grek që banon dhe punon në shtetin helen, me qëllim që të maksimalizohen votat e PBDNJ-së dhe gjithë kandidatëve për deputetë të kësaj partie më 28 qershor. Ministrja e Jashtme, Bakojanis, priti në një takim të veçantë kreun e PBDNJ-së, Dule, dhe atë të OMONIA-s, Bollano, të cilët kanë kërkuar mbështetjen e plotë të qeverisë greke në monitorimin e zgjedhjeve kombëtare në Shqipëri. Kreu i PBDNJ-së, Dule, duke iu drejtuar ministres Bakojanis nënvizoi: “Ne si drejtues të minoritetit kërkojmë nga qeveria greke që të na sigurojë lëvizjen dhe transportin e të gjithë minoritarëve grekë që jetojnë dhe punojnë këtu, dhe më tej edhe të emigrantëve shqiptarë në përgjithësi, pasi kjo është shumë e domosdoshme për zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor, me qëllim që të kemi një numër sa më të madh votuesish në këto zgjedhje”, - tha Dule pas takimit, duke shtuar se “është shumë decizive për zhvillimet politike të vendit dhe shumë e domosdoshme për rrugën e anëtarësimit në BE”. Nga pala greke, qeveria, përfaqësuesit e minoritetit grek morën garancitë, siç deklaroi dhe kreu i OMONIA-s Bollano, se “po bëhen të gjitha përpjekjet për lehtësimin e procedurave për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, me qëllim që të ushtrojnë më 28 qershor të drejtën e tyre të votimit”. Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme Greke do të nxjerrë, ditët në vijim, një qarkore e cila u jep të drejtën e lejes me dy kalime, hyrje dhe dalje, për të gjithë shqiptarët që janë në proces e sipër të marrjes së lejes së qëndrimit në Greqi. Madje, Ministria e Brendshme Greke siguron se kjo leje do të jetë pa datë të kufizuar, pasi emigrantët shqiptarë përveç përdorimit të saj për votime do të mund ta përdorin atë edhe për pushimet verore. Vlen të ritheksohet se me leje do të pajisen vetëm ata që kanë filluar procedurën e legalizimit të dokumentacionit dhe punësimit në shtetin fqinj, dhe atyre që u ka përfunduar afati i lejes së qëndrimit, kjo nuk vlen për emigrantët që nuk janë të legalizuar.

Dita e votimit
Dule-Bakojanis: “Duam transport falas për minoritarët grekë”

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe OMONIA i kanë kërkuar dje qeverisë greke që të vërë në dispozicion falas mjete të transportit publik për të gjithë anëtarët e komunitetit minoritar grek që jetojnë dhe punojnë në Greqi, me qëllim ardhjen sa më të shumtë të tyre në Shqipëri për të votuar kandidatët për deputetë të minoritetit më 28 qershor. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në vijim të takimit me ministren e Jashtme greke, Dora Bakojanis, ka folur edhe për çështjen e kandidatëve për deputetë të minoritetit në partinë e tij dhe partitë e tjera politike në Shqipëri. Dule tha ndër të tjera që, “në bashkëpunim të ngushtë edhe me OMONIA-n, kemi si qëllim, së pari, që të tërheqim në Shqipëri sa më shumë anëtarë të komunitetit minoritar grek me qëllim që të votojnë më 28 qershor për kandidatë e PBDNJ-së, pasi kemi sinjale shumë të forta dhe shpresëdhënse për një maksimizim të deputetëve në Parlamentin e ardhshëm dhe një rezultat shumë më pozitiv se në zgjedhjet e kaluara”, - tha kreu i PBDNJ-së. Burime të medias greke shkruajnë se tashmë kreu i PBDNJ-së, Dule, dhe ai i OMONIA-s, Bollano, kanë marrë ok nga ministrja Bakojanis me qëllim vendosjen e mjeteve të transportit nga qeveria greke në shërbim të anëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri që jetojnë e punojnë në shtetin Helen me qëllim ardhjen në vend për të votuar për zgjedhjet e 28 Qershorit. Mësohet se të gjithë ata që do të lëvizin me këto mjete transporti do të jenë të detyruar dhe të regjistrauar nëpërmjet listave të posaçme të identifikimit që të votojnë për kandidatët e PBDNJ-së në zgjedhje. Autobusët do të vihen kryesisht për zonat Gjirokastër, Dropull, Jorgucat, Zagori, Bularat, për Sarandë, Aliko, Livadhja, Dhivër, Delvinë, si dhe për Himarë.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›