E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunësia, mbi 142 mijë, periferia ushqime me listë

Autori i Lajmit: red.
“Rruga "Don Bosko", zona e Kamzës, Laprakës, apo ajo e Bregut të Lumit dhe Kombinatit, janë ato që thyejnë rekordin në Tiranë, për numrin më të madh të të papunëve. Tregtarët thonë se konsumatorët vijnë vetëm në fillim të muajit kur marrin rrogat, më pas ose shënojnë emrin në listë, ose mjaftohen me furnizimet e para të muajit”

Papunësia në Shqipëri e kalon shifrën 142 mijë. Kjo e fundit është vetëm statistika e regjistruar në zyrat e punës, pasi jo çdo i papunë figuron në këtë regjistër, çka do të thotë se ka edhe të tjerë të papunë. As Zyrat e Nxitjes së Punësimit dhe as panairet e punës të organizuar për çeljen e vendeve të reja të punës duket se nuk e kanë përmirësuar situatën. Niveli i lartë i papunësisë sidomos tek të rinjtë e diplomuar ka shtuar jo vetëm varfërinë, por edhe demoralizimin e motivimin për profesionin. Sipas një raporti të INSTA-it, 13.2 për qind e popullsisë nuk ka një vend pune, për të siguruar të ardhurat e përditshme, dhe në bazë të regjistrimeve janë 142 mijë të papunë në shkallë vendi. Ky numër është shumë herë më i lartë duke pasur parasysh se jo të gjithë regjistrohen në zyrat e punësimit dhe nuk janë të përfshirë në regjistrim ata që jetojnë në fshat, sepse për ta nuk ka asnjë të dhënë. Për zbutjen e nivelit të papunësisë, institucionet shtetërore janë mjaftuar me përfshirjen e qendrave të formimit profesional apo me projektet në bashkëpunim me zyrat e punësimit, ku më tepër se një punë e paguar këto projekte janë një stazh pune, i cili përfundon pas 6 muajve, dhe të papunët mbeten sërish në rrugë.
Situata
Pavarësisht se institucionet zyrtare shprehen se ka një ulje të papunësisë, ekspertët e ekonomisë pohojnë se numri i të papunëve në vendin tonë, është më i madh se 13- përqindëshi që deklarohet. Ekspertët e ekonomisë janë skeptikë lidhur me këtë shifër, pasi sipas tyre, jo të gjithë të punësuarit u drejtohen zyrave të punës, ndërkohë që nuk ka statistika as për numrin e të papunëve në sektorin e bujqësisë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, zhvillimi i biznesit është e vetmja rrugë për të luftuar papunësinë, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e produktit të përgjithshëm bruto, jepet nga sektori privat.
Periferia
Po kështu, edhe për deklaratat e Ministrisë së Punës herë pas here, për uljen e nivelit të varfërisë, periferia e Tiranës, është shembulli real për vërtetësinë e shifrave të deklaruara. Banorët e ardhur nga rrethet në kryeqytet, kryesisht nga zonat veri dhe verilindore të vendit nuk arrijnë të mbulojnë nevojat jetike të së përditshmes. Të zhvendosur kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit, këto familje vuajnë mungesën e një pune, e për pasojë të ardhurat e tyre mujore janë shumë të pakta. Rruga "Don Bosko", zona e Kamzës, Laprakës apo ajo e Bregut të Lumit dhe Kombinatit, janë ato që thyejnë rekordin në Tiranë, për numrin më të madh të të papunëve. Tregtarët thonë se konsumatorët vijnë vetëm në fillim të muajit kur marrin rrogat, më pas ose shënojnë emrin në listë, ose mjaftohen me furnizimet e para të muajit.
Statistika
Gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar, sipas statistikave, në Shqipëri janë çelur rreth 9 mijë vende pune. Por ky tremujor ka të bëjë me tre muajt, ku aktiviteti ekonomik në vend është më i dendur, për shkak se është edhe sezoni i turizmit. Ekspertët argumentojnë se është e qartë se shifra 9,9% e rritjes ekonomike është gjëja e parë që përgënjeshtrohet nga këto të dhëna për numrin e njerëzve të zënë me punë, pasi një rritje ekonomike me 9,9% nuk mund të sjellë 1,7% vende pune më shumë. Megjithatë, ekonomia shqiptare që prej shtatorit ka nisur të përthyejë trajektoren e saj, të cilën gjatë tremujorit të parë të këtij viti e ka bërë në përmasa më të mëdha. Numri i njerëzve të papunë, sipas të dhënave zyrtare në vend, në periudhën e rritjes ekonomike 9,9% ka qenë 142 mijë. Ekonomia shqiptare ka ulur shitjet, ka ulur investimet dhe ka ulur në përgjithësi të gjithë aktivitetin e saj, gjë që vihet re në mosrealizimin e të ardhurave, në uljen e eksport-importeve etj., dhe kjo ka bërë që numri i njerëzve që janë të papunë të jetë rritur. Qeveria shqiptare me anë të Institutit të Statistikave, pa ndalur, prej vitesh kanë përdorur si mbulesë të numrit të lartë të të papunëve statistikat që vijnë nga bujqësia. Vitin e shkuar kjo prirje u thellua ashpër. Aktualisht, sipas INSTAT, në bujqësi punojnë 568 mijë njerëz. Kjo do të thotë se çdokush në fshat që është i aftë për punë, konsiderohet i punësuar. Argumentohet se kjo është arsyeja pse numri i të papunëve në total në vend llogaritet në 142 mijë vetë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Çështjeve Sociale, më shumë se gjysma e të rinjve të zonave të fshatit shkojnë në emigracion sezonal, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›