E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia mban frymën: Do të shpëtojë apo do të falimentojë?

ATHINE - Takimi i kryeministrit grek Lukas Papadimos me liderët e partive që mbështesin qeverinë e tij, është ndërprerë dje pas 5 orësh, për të vazhduar sot në mbrëmje. 

Bisedimet do të vazhdojnë për të dhënë përgjigje definitive e cila do të çojë në shpëtimin ose falimentimin e vendit. 

Sipas zëdhënësit të PASOK-ut, liderët politikë kanë kërkuar kohë, me qëllim që të konsultohen me organet e partisë dhe sipas të gjitha gjasave sot pasdite do t'i komunikojnë kryeministrit vendimin e tyre, që ky më pas t'ia përcjellë Trojkës. 

Kryeministri dhe tre liderët politikë grekë duhet të vendosin mbi masat e propozuara nga Trojka, të cilat synojnë kryesisht reduktimin e pagës minimale në sektorin privat dhe heqjen e dy pagave shtesë.

Lideri i Demokracisë së re, Antonis Samaras me të mbërritur në selinë e partisë mbrëmë pas takimit tha se “Na kërkojnë më shumë recesion, por vendi nuk duron. Po luftoj me çdo mënyrë për ta shmangur atë".

Ndërkaq reagimet kanë filluar. Partia Komuniste, duke hedhur poshtë, siç shprehet "shantazhe dhe memorandume të mjerimit dhe falimentimit", bën thirrje për tubime sot në mbrëmje në ora 18:00 në sheshin Omonia në Athinë dhe në sheshin Venizelos në Selanik.

Edhe partia SYRIZA i bashkohet tubimit të sotëm dhe iu ka bërë thirrje simpatizantëve të saj për t’u mbledhur në ora 18:00.

Sipas përfaqësuesve të sindikatave të sektorit publik dhe privat, GSEE dhe ADEDY, do të organizojnë nesër një grevë 24-orëshe kundër masave të reja shtrënguese.

Ndërkaq mediat, që i referohen zëdhënësit të PASOK, thonë se kryeministri ka udhëzuar Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Përgjithshme e Kontabilitetit për hartimin e një shënimi, i cili do të jetë i gatshëm sot, dhe përfshin sqarimin e pasojave për vendin, nëse partnerët evropianë operojnë me Planin B, dmth falimentimin e Greqisë.

"Populli grek duhet të dijë se çfarë do të jenë pasojat e një falimentimi të vendit dhe një dalje e mundshme nga eurozona dhe euro", citon njoftimin zëdhënësi i PASOK, pas takimit të Këshillit Politik të partisë.

"Mbi këtë bazë, zhvillohen diskutimet jo vetëm në mesin e liderëve politikë të partive të përfshira në qeverinë e Papadhimos, por në të gjitha bisedimet e Kryeministrit dhe debatit që do të mbahet së shpejti në Parlament për paketën e masave", ka thënë zëdhënësi i PASOK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›