E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e laborantes, shoqërohen 7 grabitës me dhunë

TIRANE- Të paktën shtatë persona të njohur si kontigjentë të policisë për grabitje me dhunë janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Eleni Bashos, e cila u qëllua me tre plumba mbrëmjen e së enjtes.

Lajmi konfirmohet nga burime të policisë, të cilat thanë se në morinë e pistave ku është shtrirë hetimi nuk përjashtohet edhe mundësia e vrasjes për qëllime grabitjeje. Të dyshuarit kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe mësohet se kanë alibi të forta për natën e vrasjes së nënës së dy fëmijëve.

Megjithatë, policia tha se është duke bërë verifikimet e duhura. Në fakt, pista e grabitjes është mjaft e vakët, pasi çanta e viktimës është gjetur e paprekur. Burime policore thanë se janë duke hetuar edhe në shumë pista të tjera, por ende asgjë konkrete. Sa i përket bashkëshortit të saj, Ilia Bashos, policia ka marrë vetëm një deklarim të parë pas ngjarjes. Thirrjes së policisë për t’u paraqitur ditën e sotme (dje), Ilia Basho i është përgjigjur negativisht, duke u justifikuar se ka dy fëmijët vetëm dhe se ka të tretat e gruas së vrarë. Ai pritet të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij në polici, gjatë dy ditëve në vazhdim.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›