E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, orteqe dhe borë në veri, mbyllen shkollat në Pukë

TIRANË- Situata në veri të vendit, vijon të mbetet problematike për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta që mbizotërojnë në vend.

Dhjetra komuna mbeten të bllokuara për shkak të borës, ndërkohë akset kombëtare janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa akset rrugore dytësore mbeten të bllokuara.

Akse të bllokuara janë Qafë Mali-Bajram Curri, Qafë Mali-Kukës dhe të gjithë rrugët rurale në rrethin e Pukeës, Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Peshkopi-Librazhd, si dhe të gjitha rrugët rurale në Kukës dhe në qarkun e Dibrës, ndërsa i gjithë rrethi i Tropojës është i izoluar dhe komunat nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.

Raportohet gjithashtu se në zonën e Bajram-Currit dhe ne Qafe Morine ka pasur gjatë natës rënie të orteqeve të dëborës. Problematike janë akset Morine-Kalimash, Kukës-Krumë, Qafë Mali-Kukës, te cilat kalohen me vështirësi edhe me zinxhirë. E njëjta situatë edhe në Pukë-Fushë Arrëz-Mirditë si dhe në aksin Tiranë-Peshkopi, probleme nga akulli edhe brenda qytetit të Kukësit.

Shkollat në Pukë nuk kanë nisur edhe sot mësimin, ndërsa procesi është pezulluar në të gjitha shkollat në komunat e Kukësit edhe për këtë javë.

Janë shfaqur probleme me emergjenca shëndetësore në komunën Golaj të Hasit dhe në komunën Tropojë e Vjetër, si dhe probleme me rezervat ushqimore në Zapod të Kukësit, ku bora arrin në trashësinë mbi 2 metër. Komun Trebisht në Dibër prej 6 ditesh vuan mungesën e energjisë elektrike. Ndërkohë në Korcë aportohet se janë të kalueshme me zinxhirë Qafa e Qarrit, Ersekë-Leskovik, Korcë-Vokopoje dhe Korcë-Dardhë, e bllokuar vetëm komuna Lekas.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›