E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia mban frymën sot; Do të shpëtojë apo do të falimentojë?

ATHINE - Takimi i kryeministrit grek Lukas Papadimos me liderët e partive që mbështesin qeverinë e tij, është ndërprerë dje pas 5 orësh, për të vazhduar sot në mbrëmje. 

Bisedimet do të vazhdojnë që liderët politikë të japin një përgjigje definitive, e cila do të çojë në shpëtimin ose falimentimin e vendit. 

Kryeministri dhe tre liderët politikë grekë duhet të vendosin mbi masat e propozuara nga Trojka, të cilat synojnë kryesisht reduktimin e pagës minimale në sektorin privat dhe heqjen e dy pagave shtesë.

Sipas zëdhënësit të PASOK-ut, liderët politikë kanë kërkuar kohë, me qëllim që të konsultohen me organet e partisë dhe sipas të gjitha gjasave sot pasdite do t'i komunikojnë kryeministrit vendimet e tyre, që ky më pas t'ia përcjellë Trojkës. 

Ndërkaq reagimet kanë filluar. Partia Komuniste dhe SYRIZA bëjne thirrje për tubime sot në mbrëmje në ora 18:00 në sheshin Omonia në Athinë dhe në sheshin Venizelos në Selanik.

Përfaqësuesit e sindikatave të sektorit publik dhe privat, GSEE dhe ADEDY, bëjnë të ditur se do të organizojnë nesër një grevë 24-orëshe kundër masave të reja shtrënguese.

Ndërkaq mediat, që i referohen zëdhënësit të PASOK, thonë se kryeministri ka udhëzuar Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Përgjithshme e Kontabilitetit për hartimin e një shënimi, i cili do të jetë i gatshëm sot, dhe përfshin sqarimin e pasojave për vendin, nëse partnerët evropianë operojnë me Planin B, dmth falimentimin e Greqisë.

"Populli grek duhet të dijë se çfarë janë pasojat e një falimentimi të vendit dhe një dalje të mundshme nga eurozona dhe euro", citon njoftimin zëdhënësi i PASOK.

"Mbi këtë bazë, janë zhvilluar diskutimet jo vetëm në mesin e liderëve politikë të partive të përfshira në qeverinë e Papadhimos, por të gjitha bisedimet e Kryeministrit dhe mbi këtë bazë do të zhvillohet së shpejti në Parlament debati për paketën e masave", ka thënë zëdhënësi i PASOK.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›