Kryeministri Berisha pret në takim një delegacion të Komisionit për Çështjet me Bashkimin Europian, në Senatin Çek
Kryeministri Berisha priti sot në takim delegacionin e Komisionit për çështjet me Bashkimin Europian, të Senatit çek, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, z. Ludek Sefzig dhe nënkryetari i tij, z. Alexander Vondra.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, i falënderoi deputetët e parlamentit çek për përkrahjen e jashtëzakonshme që çekia i ka dhënë Shqipërisë, si duke pranuar depozitimin e kërkesës për anëtarësim gjatë presidencës çeke, ashtu edhe për vijimin e mbështetjes për marrjen e vendimit historik nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave.
Pasi e falënderuan për pritjen e ngrohtë e miqësore, parlamentarët çekë e uruan Kryeministrin Berisha për rikonfirmimin ne kete post dhe per qeverinë e re si edhe për arritjen madhore për Shqipërinë, vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për të shqyrtuar kërkesën për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat, si dhe për ecurinë shumë të mirë në procesin e liberalizimit të vizave.
“Ju, zoti Berisha dhe qeveria juaj keni bërë vërtetë shumë për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Europian, për hapin e madh, miratimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat”, iu drejtua Kryetari i Komisionit për çështjet me Bashkimin Europian, në Senatin çek, Kryeministrit Berisha.
“Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, u informuam dhe pamë me sytë tanë reformat e realizuar nga qeveria juaj, të cila janë realisht impresionuese dhe po e shndërrojnë çdo ditë Shqipërinë”, vijoi më tej z. Sefzig.
Gjatë takimit, u vlerësuan gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy qeverive dhe vendeve, të cilat bazohen në ndjenjat e miqësisë tradicionale mes dy popujve. Senatorët çekë i shprehën Kryeministrit Berisha gatishmërinë e tyre për t’i ofruar qeverisë shqiptare çdo lloj ndihme dhe mbështetjeje që ajo do të ketë nevojë, si në hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit në BE, ashtu edhe në konsolidimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat.
Me tej, në takim u diskutua edhe mbi situatën paszgjedhore dhe vendimin e drejtuesit të opozitës për të bojkotuar Parlamentin e Shqipërisë. Senatorët çekë vlerësuan qëndrimin e hapur dhe transparent të qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha, për sa i përket kësaj çështjeje. Parlamentarët çekë theksuan se kërkesat që bien ndesh me parimet themelore kushtetuese, siç është mosndërhyrja dhe mosndryshimi nga politika, i vendimeve të gjyqësorit, janë të rrezikshme, pasi mund të shkatërrojnë shtyllat themelore të demokracisë së një vendi.
“Kemi ardhur në Tiranë pasi jemi tërësisht të bindur, nga të gjitha raportet ndërkombëtare, për legjitimitetin e plotë të kësaj qeverie dhe vlerësojmë maksimalisht qëndrimin e Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, si dhe përpjekjet e tyre që në parlament të përfaqësohen të gjithë shqiptarët, edhe ata që votuan opozitën. Ata që vazhdojnë të sugjerojnë këtë bojkot, nuk e kanë idenë sesa i thellë është dëmi dhe impakti që kjo i shkakton Shqipërisë dhe imazhit të saj, ne veçanti, në kuadër të procesit të përafrimit me Bashkimin Europian”, u shpreh Kryetari i Komisionit të senatit çek, z. Ludek Sefzig.
Gjatë bisedës, ndërhyri edhe nënkryetari i Komisionit, z. Alexander Vondra, i cili u shpreh i mrekulluar nga ndryshimet e realizuar gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Ai e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare në katër vite.
Persa i perket bojkotit te opozites, z. Vondra theksoi se “Ne besojmë se ky qëndrim bojkotues po i sjell një dëm të madh procesit të përafrimit të Shqipërisë në BE, prandaj është e rëndësishme që nxitësit e këtij bojkoti të kuptojnë që në këtë situatë, këto metoda të luftës së brendshme politike në vend, sjellin një impakt shumë negativ në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë. Jemi shumë të kënaqur që Bashkimi Europian e pranoi kërkesën e Shqipërisë, të depozituar gjatë presidencës ceke dhe, ju siguroj zoti Kryeministër, se BE ka një perceptim shumë pozitiv për përpjekjet dhe per nivelin e marrëdhënieve me qeverinë shqiptare”, vijoi zoti Alexander Vondra.
Më tej, ai theksoi si shumë të rëndësishme përpjekjet e Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit ligjor dhe transparencës, duke theksuar se respektimi i ligjit, vendimeve të gjykatave dhe transparenca, janë kusht i domosdoshëm për demokracinë.
Në takim, parlamentarët çekë, nisur edhe nga përvoja që ligjvënësit cek kanë grumbulluar gjatë procesit të përafrimit të legjislacionit të tyre me BE-në, i shprehën Kryeministrit Berisha gatishmërinë për të ndihmuar kolegët e tyre, por edhe qeverinë shqiptare, në përpjekjet për përafrimit të legjislacionit shqiptar, në këtë fazë të marrëdhënieve të ngushta me BE-në.
Në përfundim të takimit, palët shprehën angazhimin e të dy vendeve për të zgjeruar dhe thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti atë ekonomik, në fushën e arsimit, shëndetësisë, sektorin energjetik, duke nxitur në veçanti investitorët cekë, që në në shembullin e investimit të suksesshëm të kompanisë çEZ, të vijnë në Shqipëri.
26/11/2009