Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 10 vjetorit të themelimit të bankës Emporiki në Shqipëri

- Kryeministri garantoi se qeveria është e vendosur të përmirësojë dhe konsolidojë kuadrin më të mirë ligjor për veprimtarinë e bankave.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Bankës Emporiki në Shqipëri. Në këtë ngjarje merrnin pjesë Drejtues të Bankës Emporiki në Greqi dhe në Tiranë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani ministra të kabinetit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve ekonomike dhe financiare, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit.
Duke përshëndetur stafin dhe drejtuesit e kësaj Banke, Kryeministri Berisha u shpreh se historia e bankës Emporiki në Shqipëri është një histori suksesi. “Banka Emporiki në një hark kohor të shkurtër ia ka dalë të fitojë dhe të gëzojë reputacionin ndër më të mirën që meriton. E themeluar në Tiranë 10 vjet më parë, Emporiki në njëfarë mënyre ishte një pararendëse e dimensioneve të reja gjithnjë e me të mëdha të ekonomisë së tregut në përgjithësi dhe të tregut bankar në veçanti.”
Duke vlerësuar shërbimet cilësore që banka garanton për klientët e saj, kryeministri theksoi se Emporiki u bë një nga simbolet më të rëndësishme të besimit dhe tërheqjes së biznesit grek në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se ndonëse në kohën e një krize, nga më të mëdhatë që kanë njohur financat botërore, banka Emporiki dhe bankat e tjera në Shqipëri qëndruan me dinjitet për shkak të parimeve të shëndosha, solide, transparente mbi të cilat funksionuan dhe funksionojnë. “Bankat në Shqipëri dhe ekonomia shqiptare natyrisht ndjeu stuhinë e krizës botërore, por natyrisht u mbajtën më mirë se në të gjitha vendet e tjera të kontinentit. Dhe kjo, jo për shkak të një ekonomie centraliste, përkundrazi të nje ekonomie të vërtetë tregu e bazuar në parimet më të shëndosha të tregut. Ndaj dhe kemi një arsye të jemi të gjithë së bashku krenarë për situatën e financave , bankave dhe ekonomisë shqiptare.”
Kryeministri ia dedikoi rritjen prej 59 % të investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe rritjen ekonomike prej 5,3 % në gjashtëmujorin e parë, kontributit të jashtëzakonshëm të bankës Emporiki dhe të gjitha bankave të tjera në sistemin bankar të Shqipërisë.
Duke kërkuar prej bankës Emporiki mundësinë e shtrirjes së aktivitetit të saj në sektorin e bujqësisë Kryeministri garantoi të pranishmit se qeveria shqiptare është e vendosur të përmirësojë dhe konsolidojë kuadrin më të mirë ligjor për veprimtarinë e bankave. “Projekte të mëdha qeveria shqiptare po ndërmerr këto 4 vite në bujqësi. Njëri prej tyre është projekti i 20 milion rrënjëve ullinj. Angazhimi juaj për të ndihmuar në këtë sektor është shpresë madhe për përjetësinë e Emporikit. Ulliri ëhstë druri i përjetësisë. Qeveria është e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me ju që të garantojë plotësisht kreditë tuaja dhe mbështetjen që ju do mund ti jepni këtij sektori jetik për vendin tonë."
25/11/2009