Greqia merr këstin e parë prej 35.7 miliardë eurosh

Zhan Klod Xhunker
Pas marrëveshjes me kreditorët privatë, eurogrupi jep miratimin e shpëtimit.
Ministrat e Financës së eurogrupit kanë miratuar dje dhënien e këstit të parë të paketës së dytë të ndihmës për Greqinë, e cila mundëson shpëtimin e shpejtë të vendit nga falimentimi. Kësti i parë u llogarit në 35.7 miliardë euro, por 14 miliardë prej tij do tu kthehen sërish kreditorëve më 20 mars, kur Greqisë i duhet të paguajë një këst nga borxhi i vjetër. Vendimi erdhi pas arritjes së marrëveshjes me kreditorët privatë të bonove shtetërore greke, kusht i domosdoshëm për marrjen e paketës së dytë hua, prej 130 miliardë eurosh. Marrëveshja u arrit të enjten me 85.8 për qind të kreditorëve privatë ndërkombëtarë, kryesisht banka, të cilët falën 53.5 për qind të detyrimeve që u ka Greqia, duke i këmbyer këto detyrime me benefite në programin e ardhshëm 30-vjetor të bonove të reja greke. Greqisë, me këtë marrëveshje iu falën rreth 107 miliardë euro. Kështu, investitorët humbasin deri në 74 për qind të investimit të tyre. Pas marrëveshjes, presidenti i eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, organizoi telekonferencën me ministrat e Financave të eurozonës dhe pas saj bëri njoftimin zyrtar mbi lëvrimin e këstit të parë. I kënaqur me marrëveshjen, ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, tha se Me mbështetjen e sektorit zyrtar dhe kreditorëve privatë, Greqia do të vazhdojë të zbatojë masat e nevojshme për të arritur sistemimin fiskal dhe do të kryejë reforma strukturore me qëllim që të kthehet në rrugën e rritjes së qëndrueshme. Ministri grek parashikoi se vendi do të arrijë në një nivel të tillë në vitin 2020. Është shmangur rreziku i një krize të rëndë në eurozonë, deklaroi dje kryetarja e FMN-së, Kristin Legarde, ndërsa sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Geithner tha se Europa, me masat e ndërmarra, nuk paraqet rrezik të rëndësishëm për ekonominë globale. Greqia është në vitin e pestë të recesionit, dhe po dëmtohet në vazhdimësi nga grevat e sindikatave dhe shkatërrimet e anarkistëve, të cilët kundërshtojnë masat e ashpra të kursimit që vendit i duhej të ndërmerrte në paketa të njëpasnjëshme, për të përmbushur kushtet që të përfitonte ndihmën prej BE-së dhe FMN-së. Greqia e ka borxhin 160 për qind të prodhimit vendës bruto.
Gjykimi
Greqinë nuk po e lënë të qetë as gjykimet ndërkombëtare. Pas një gjobitjeje për kushtet e këqija nëpër institucionet e paraburgimit dhe burgjet, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut pritet që këtë muaj të nisë një proces kundër Greqisë për çështjen e të drejtës së votimit të qytetarëve grekë që jetojnë jashtë vendit. Prej 30 vjetësh, Greqia nuk ka gjetur mënyra për të mundësuar votimin e emigrantëve grekë nëpër botë.