Agim Shehu dëshmon te Krimet për zhdukjen e Remzi Hoxhës
Laureta Rryçi
Tiranë - Agim Shehu, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njëkohësisht ish-zëvendësministër i Brendshëm, ishte dje dëshmitar në gjyqin për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. “Nuk jam vënë në dijeni për rrëmbimin e shtetasit Remzi Hoxha. Jam vënë në dijeni të një kallëzimi që kanë bërë familjarët e tij për mungesën e tij në familje në një datë që nuk e kujtoj, por duhet të ketë qenë pjesa e dytë e vitit ‘96”, - ka nisur dëshminë e tij Shehu. Për krimin e kryer gati 14 vjet më parë, në bankën e të akuzuarve janë të ulur tre ish-shik-as: Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. “Për ngjarjen kam vënë në dijeni Presidentin e Republikës në atë kohë Sali Berisha dhe kryetarin e Kuvendit Pjetër Arbnori”, - tha dje para trupit gjykues gjeneral Agim Shehu. Mbi bazën e denoncimit të bërë nga familjarët për largimin nga shtëpia të Remzi Hoxhës, Shehu dëshmoi se sektori i policisë kriminale të Komisariatit Nr. 3 të Tiranës kishte kryer të gjitha procedimet penale të nevojshme dhe kishte filluar çështja penale nga Prokuroria e Tiranës.
Dëshmia
“Nga hetimi i çështjes nuk rezulton të jenë zbuluar autorët e kësaj vepre dhe nuk është bërë i mundur zbulimi i autorit. Çështja iu kthye sërish Prokurorisë së Tiranës sipas kërkesës së saj ndërsa policia kriminale ka hapur një dosje për zbulimin e autorëve të kësaj vepre”, - shkruhej në letrën që Agim Shehu i kishte drejtuar presidentit të atëhershëm, sot kryeministër, Sali Berisha. Më tej, në letër Shehu informonte se targat e makinës me të cilën u rrëmbye Remzi Hoxha më 21 tetor të 1995-s nuk ishin hedhur në qarkullim nga policia e shtetit. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pohoi të kishte pasur shumë takime me prokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe, por shtoi se “nuk mbaj mend të kem biseduar për rastin e Remzi Hoxhës”. Shehu u shfaq në gjykatë pas kërkesës së prokurorit të çështjes Xhevat Hana, një seancë më parë, që dëshmitari të paraqitej me forcë nëse nuk pranonte të vinte.
Procesi
Dëshmitari i radhës në këtë proces ishte Arben Karkini, me detyrë ish-shef i SHIK-ut pas Gazidedes. Ky i fundit ka mohuar të ketë pasur dijeni për këtë ngjarje. Në seancën e djeshme gjyqësore, prokuroria lexoi edhe një deklarim të dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore nga mjeku Lefter Hanaj. Në dëshminë e tij, ai sqaronte se kishte mjekuar Ziso Kristopulin, pa i hapur një kartelë mjekësore. Kristopuli i kishte treguar se ishte dhunuar, ndërkohë që kishte mushkëritë e dëmtuara. Në këtë proces pritet të dëshmojnë afro 100 dëshmitarë, mes tyre dhe ish-funksionarë të lartë të policisë apo SHIK-ut në kohën që ka ndodhur ngjarja. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-shikasve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë.
14 Janar 2009