E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Agim Shehut: ǒdi unë për Remzi Hoxhën

 

Armand Bajrami

Ish-zv/ministri i Brendshëm Agim Shehu, njëkohësisht ish-drejtor i Përgjithshëm i policisë në kohën kur ndodhi ngjarja dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, lidhur me zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gjenerali Agim Shehu, që me vendim gjykate e fitoi këtë gradë, tha se nuk ishte vënë në dijeni për ngjarjen në kohën kur ka ndodhur ajo, por më vonë pas interesimit të organeve shtetërore. Më poshtë publikohet e plotë dëshmia e Agim Shehut para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe prokurorit të çështjes Xhevat Hana.
Keni qenë apo jo në marrëdhënie pune në periudhën 1995-1997?
Nga viti 1995 deri në 30 qershor 1997 kam qenë zëvendësministër i brendshëm dhe drejtor i përgjithshëm i policisë në Ministrinë e Brendshme.
A mund të na thoni nëse aktualisht jeni në marrëdhënie pune?
Punoj në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të Republikës së Shqipërisë, që është në varësi të Ministrisë së Financave. Jam drejtor i investigimit në atë institucion. Kam për detyre të hetimin kriminal në sektorin e Tatimeve.
Ishit apo jo në dijeni zyrtarisht të ngjarjeve që ndodhnin në vendin tonë?
Në Ministrinë e Brendshme kishte një rregullore që botohej një komunikatë operative me të gjitha ngjarjet, që ndodhnin në republikën e Shqipërisë dhe këtë e merrja çdo ditë në orën 20:00.
Jeni vënë në dijeni të zhdukjes së Remzi Hoxhës?
Nuk jam vënë në dijeni për rrëmbimin të shtetasit Remzi Hoxha. Jam vënë në dijeni të një kallëzimi që kanë bërë familjarët e tij, për mungesën e tij në familje në një datë që nuk e kujtoj, por duhet të ketë qenë pjesa e dytë e vitit 1996.
Policia nuk ka qenë në dijeni të ndonjë rrëmbimi prandaj nuk ka fiksuar targa, mjete dhe mjedis, pasi nuk ka qenë në dijeni për ndonjë vepër që ju e cilësoni rrëmbim. As kallëzimi në polici nuk është bërë për rrëmbim.
Ditën e ngjarjes familjarët kanë denoncuar për rrëmbimin dhe për targat e makinës...
Kallëzimet drejtoheshin në komisariatet e policisë, në atë kohë kishim 36 dhe unë nuk e di se sa kallëzime bëheshin në komisariatet lokale të policisë. Sigurisht që nuk kam qenë në dijeni të kësaj çështjeje.
A jeni vënë në dijeni për pretendimet e familjareve lidhur me mënyrën e rrëmbimit?
Nuk vihesha në dijeni unë, kam qenë zëvendësministër dhe drejtor i Përgjithshëm i policisë dhe nuk ishte detyrë e policisë të më informonte mua për çdo kallëzim, që bëhej nga autoritetet lokale të policisë. Nuk kam marrë dijeni në momentin e kallëzimit. 
A keni kontaktuar me familjarë te shtetasit Remzi Hoxha?
Nuk jam në dijeni t’i jenë drejtuar institucionit ku kam punuar unë, por Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme nuk i është drejtuar asnjë nga familjarët e tij, me kërkesë me shkrim ose për ta takuar personalisht atë, për çështje private apo të punës. Theksoj se nuk njoh asnjë nga familjarët.
A jeni vënë apo jo në dijeni për pretendimet, që kanë pasur familjare e shtetasit Remzi Hoxha për implikimin tuaj në ngjarjen...?
Prokuror. Unë i jam përgjigjur me shkrim institucioneve të shtetit, që kanë drejtuar kërkesë në adresën e Ministrisë së Brendshme dhe i kërkoj mbrojtjes të hapë dokumentet zyrtare e nënshkruara prej meje në atë kohë, pasi unë mbuloja një aktivitet, që kishte mijëra njerëz dhe shumë institucione nën varësinë time. Citoj, se duke qenë ligji besoj dhe shpresoj se i jam përgjigjur zyrtarisht çështjes për të cilën pyetem dhe shpresoj dhe besoj se në institucionet e shtetit shqiptar posedohen dhe gjenden dokumentet e shkruara prej meje, ku i jam përgjigjur saktësisht të gjitha pyetjeve që ju më drejtuat.
A ju është kërkuar për sqarim me gojë apo me shkrim nga ana e prokurorit të Përgjithshëm për ngjarjen me shtetasin Remzi Hoxha. Në rast se po, kur ka ndodhur një gjë e tillë dhe si ka qenë shpjegimi juaj?
Në institucionet e ligjit kërkesat bëhen me shkrim dhe kërkesat që po më komunikoni dhe mbroni ju aty nuk bëhen me gojë. Marrëdhëniet e mija me Prokurorinë kanë qenë të tilla, zyrtare, ligjore dhe në të gjitha kërkesave të Prokurorisë u jam përgjigjur me shkrim. Ato që janë drejtuar për zv/ministrin e Brendshëm. Kërkesat e tjera drejtuar policisë u dërgohen autoriteteve vendorë dhe ju e njihni shumë mirë këtë çështje.
A keni kontaktuar direkt me prokurorin e Përgjithshëm dhe a ju është kërkuar një gjë e tillë?
Nuk e kujtoj të kem takuar prokurorin e Përgjithshëm dhe të kem bërë bisedë rreth kësaj çështjeje. Mbaj mend shumë takime, por nuk mbaj mend të kem diskutuar me gojë këtë çështje.
Nga materialet e dosjes rezulton se prokurori i Përgjithshëm ka një shënim ku thuhet se ka kontaktuar me ju dhe ka diskutuar për këtë problem...
Shënimet private të prokurorit të Përgjithshëm nuk janë provë dhe nuk shërbejnë për t’u marrë në pyetje. Nuk janë akte proceduralë. Shënimet që mund të bëj unë privatisht nuk shërbejnë për asgjë.
A ju kanë kërkuar sqarime ose informacione rreth problemit të Remzi Hoxhës institucionet kryesore të shtetit shqiptar. Në rast se po kush ka qenë përgjigjja juaj?
Institucionet e shtetit shqiptar më kanë kërkuar shpjegime nëse policia kishte informacione të dhëna rreth shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Verifikimet e asaj kohe nuk dhanë rezultat dhe unë u jam përgjigjur me shkrim institucioneve të shtetit shqiptar. Së pari, u jam përgjigjur me shkrim presidentit të asaj kohe dhe shpresoj se përgjigja ime të ketë shkuar. Rreth kësaj çështjeje autoritete vendore të policisë, konkretisht Komisariati i Policisë nr.3, ka kryer të gjitha veprimet procedurale mbi bazën e kallëzimit të marrë. Ka çelur një dosje për këtë çështje, ka ndjekur procedurat penale për këtë çështje, ka bashkëpunuar me Prokurorinë për këtë çështje. Nuk ishte detyra ime të bashkëpunoja me Prokurorinë pasi autoritet e policisë ishin kompetente për të.
Unë i jam përgjigjur me shkrim institucionit të presidentit. Nuk jam i sigurt një ose dy herë, por një nga ato e kujtoj mirë. Ndoshta mund ta gjej, nëse me lejohet ta marr në dosje.
Përveç Presidentit të Republikës a keni kthyer ndonjë personaliteti tjetër përgjigje për këtë problem?
Ka pasur një interesim të kryetarit të kuvendit të Shqipërisë, atij që nuk jeton më, Pjetër Arbnori dhe atij i jam përgjigjur zyrtarisht.
Cila ka qenë përgjigjja?
Kërkimet e policisë, verifikimi i kryer brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nuk çuan në gjetjen e shtetasit për të cilin më pyesni. Nuk çuan në konkluzionet konkrete, që ishim përpara një vepre penale. Cilësoj, dosja është shkëmbyer midis policisë dhe prokurorisë disa herë. Datat nuk i kujtoj, por ne jemi përgjigjur për aq sa dhanë kërkimet e policisë.
Nisur nga interesimi i madh që kishin për këtë ngjarje institucionet kryesore të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Kuvendi Popullor, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit kryesorë nga Kosova, si edhe një interesim i vazhdueshëm i familjarëve, pyesim nëse është marrë apo jo në analizë ky problem nga ana juaj? Nëse po, a janë informuar ose jo këto institucione?
Të them të drejtën nuk kam qenë në dijeni të ndonjë interesimi nga Kosova. Drejtuesve të shtetit shqiptar që janë interesuar për këtë çështje mbi bazën e kërkesave familjare apo sensibilizimit të mediave u jam përgjigjur zyrtarisht me shkrim. Për mua sensibilitet kishin të gjitha çështjet njësoj, si një shqiptar i vrarë apo i humbur, ashtu edhe një tjetër i ardhur në Shqipëri. Dhe nuk përbënte ndonjë sensibilitet të ndryshëm nga një vepër kriminale me dy tre të vrarë. Sensibilitetet janë të përcaktuara me ligj dhe unë i ndiqja ato në mënyrë uniforme njëlloj, për ngarkesën që kishin. Kishte edhe shqiptarë të tjerë të humbur. Kishte edhe të vrarë, nuk ishte i vetmi.
Nga materialet e dosjes rezulton se Pjetër Arbnori në një përgjigje që ju ka kthyer familjarëve të Remzi Hoxhës dhe zotit Adem Demaçi, midis të tjerash ka vënë në dukje se ka marrë përgjigje nga zv/ministri i Brendshëm dhe do ta vejë atë në kontakt me ju. Nëse është bërë një gjë e tillë ose jo?
S’jam në dijeni të përgjigjem për Pjetër Arbnorin. Di se çfarë i kam raportuar Pjetër Arbnorit. Di që e kam takuar, e kam sqaruar deri ku ishin verifikimet e policisë dhe nuk e njoh korrespondencën e Arbnorit dhe të Kuvendit me Adem Demaçin dhe të tjerë personalitete të Kosovës apo të personaliteteve të tjera të Shqipërisë.
Nëse nga vartësit tuaj, a jeni vënë apo jo në dijeni se nga Prokuroria e Rrethit Tiranë kërkohej verifikimi dhe konfirmimi nëse është hedhur në qarkullim targa TR 2459 C, e përdorur nga makina që ka marrë pjesë në rrëmbimin e shtetasit Remzi Hoxha dhe se kujt i përkiste kjo targë?
Nuk e kujtoj tekstualisht për këtë që më pyesni, por di që kemi bërë verifikime për këtë çështje. Dhe mua më është raportuar, mesa kujtoj, që targa të tilla nuk ishin në qarkullim në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me targat kemi bërë disa herë verifikime, kështu që nuk mund të jem i saktë se sa herë kam  urdhëruar unë që të bëhen verifikime për këtë çështje. Në njërën nga këto mbaj mend se më është thënë që nuk janë në qarkullim targa të kësaj natyre. Çështja e targave ka qenë çështje e diskutuar shumë herë dhe nuk mbaj mend të më jetë raportuar mua zv.ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm se Policisë, se Sektori i Targave të Policisë Rrugore ka vënë në dispozicion këtë lloj targe. Personalisht nuk gjendet asnjë raportim me gojë, apo me shkrim nga autoritetet e policisë që më është adresuar mua. Kjo me gjithë insistimin tim për ta verifikuar deri në fund, mua më është raportuar se nuk janë në qarkullim.
Ju duhet ta kuptoni, shkëmbimet midis meje dhe autoriteteve vendore të policisë bëheshin të shkruara dhe jo biseda tavoline.
Jeni vënë apo jo në dijeni zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme për shqetësimin, që krijoi Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, e cila nuk jepte konfirmim lidhur me targën e përdorur në rastin e ngjarjes së mësipërme.
Nuk më kujtohet të jem vënë në dijeni. Por mesa kujtoj çështja e targave është diskutuar, por mbaj mend se Prokurorisë së Përgjithshme i është kthyer një përgjigje. Tekstualisht nuk e mbaj mend se cila është përgjigjja, por autoritetet e policisë rrugore kanë komunikuar me Prokurorinë Vendore dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ishin ato autoritete që diskutonin dhe përgjigjeshin nëse kishte në kartotekën e qarkullimit rrugor targat që kërkoheshin. Nuk ishte detyra ime të merresha me targat e makinave.
A ju është drejtuar zyrtarisht organi i Prokurorisë së rrethit Tiranë, iu është drejtuar zyrtarisht për të saktësuar nëse targat TR 2459 C ishin hedhur në qarkullim, pasi nga ana e SHIK mohohet një gjë e tillë.
Nuk më kujtohet, pasi nuk mund të mbaj mend gjithë korrespondencat me prokuroritë e rretheve. Nuk me kujtohet.
Nëse nga ana juaj njihet shtetasi Edmond Kazazi. Nëse po, cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja?
Edmond Kazazi ka qenë Drejtor i Policisë Rrugore për disa kohë, nën vartësinë time.
A jeni interesuar nga ana juaj atij si person në lidhje me targat TR 2459 C, nëse ishin hedhur ose jo në qarkullim?
Edmond Kazazi ka qenë Drejtor i Policisë Rrugore përgjegjës për këtë çështje dhe kërkesat që më adresoheshin në lidhje me sektorin e Policisë Rrugore unë ia kaloja atij për kompetencë.
Ishte objekt i punës së policisë rrugore dhe nëse më vinin kërkesa që lidheshin me këtë polici, i adresoja atje.
Më lart thatë se keni informuar për këtë problem Presidentin e Republikës. Nëse ju kujtohet, çfarë përgjigje i keni dhënë?
(merr fletën e përgjigjes)
“Mbi shtetasin maqedonas Remzi Hoxha. Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kabinetit. Lidhur me çështjen e shtetasit Hoxha  shtrojmë: Mbi bazën e dokumentacionit të bërë, mbi bazën e një denoncimi të bërë nga familja e të lartpërmendurit, sektori i Policisë Kriminale të Komisariatit nr.3 ka kryer të gjitha veprimet procedurale të nevojshme. Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Tiranë ka filluar çështja penale. Nga hetimi çështjes nuk rezulton të jenë zbuluar autorët e kësaj vepre të pretenduar dhe nga hetimet e deritanishme nuk është bërë i mundur zbulimi i autorit. Çështja i është kthyer përsëri Prokurorisë së Rrethit Tiranë, sipas kërkesës së kësaj të fundit. Aktualisht kjo dosje hetimore ndodhet në Prokurorinë e rrethit. Nga ana e Policisë Kriminale është çelur një dosje për zbulimin e autorëve të kësaj vepre. Nga ushtrimi i detyrave të ngarkuara nuk është bërë akoma i mundur grumbullimi i materialeve me vlerë që do të çojë në zbulimin e autorëve. Nga puna e bërë deri tani nuk rezultoi që targat të jenë hedhur në qarkullim nga ana jonë. Aktualisht po punohet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të sqaruar në rrethanat që do të çojnë në zbulimin e autorëve”
Unë kam shënuar dhe verifikuar që nuk kanë dhënë rezultat. Ajo që më ishte raportuar mua ishte që targat që janë kërkuar nuk janë hedhur në qarkullim.
Nga materialet e dosjes rezulton se në datën 30.03.1996, 5 muaj para se ju të jepnit përgjigje, Presidentit të Republikës se i është kthyer përgjigje Prokurorisë nga Drejtoria e Qarkullimit se këto targa ishin hedhur në qarkullim dhe ishin tërhequr nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Po kështu rezulton se Prokurori i Përgjithshëm, mbi këta bazë i ka bërë informacion Presidentit të Republikës duke i bërë të ditur se targat janë hedhur në qarkullim dhe janë tërhequr nga SHIK. Ndërsa ju më mbrapa, i thoni Presidentit që këto targa nuk janë hedhur në qarkullim. Si shpjegohet mospërputhja?
Drejtori i Policisë Rrugore dhe Autoriteteve Vendore që më kanë raportuar mua për të bërë këtë përgjigje nuk më kanë pohuar që këto targa ishin në qarkullim. Unë mbi bazën e këtyre e kam bërë përgjigje, e jo nga mendja ime. Janë bërë verifikimet për këtë çështje për aq sa ka rezultuar. Unë nuk jam në dijeni që Drejtori i Policisë Rrugore paska komunikuar direkt me prokurorinë, pasi ai nuk mund të komunikonte direkt. Sipas një rregulli të shkruar në Ministrinë e Brendshme, shkresat kalonin nëpërmjet ministrit apo zëvendës ministrit. Megjithëse e kisha kërkuar disa herë për ta verifikuar, mua personalisht nuk ma ka raportuar personi që përmendët ju.
Po për ndërhyrjen e ministrit për përgjigjen ndaj kërkesës së Prokurorisë?
Nuk jam në dijeni të kontakteve që ka pasur ministri me Prokurorinë e Përgjithshëm dhe për ndonjë urdhër që ka dhënë ministri për këtë çështje dhe nuk është insistimi i ministrit për të drejtuar policinë e për të dhënë përgjigje. Është detyrë ligjore e kujtdo që i drejtohet prokuroria për t’u përgjigjur.
Gjatë kohës që drejtonit policinë a ka ndodhur ose jo ndonjë ngjarje në Drejtorinë e Policisë Tiranë? 
Nuk jam në dijeni.
A jeni në dijeni të hedhjes së personit Abdyl Loshaj në Drejtorinë e Policisë Tiranë?
Nuk e kam dëgjuar këtë emër dhe nuk di për rastin që ju më përmendni. Nuk ka asgjë të shkruar dhe të raportuar tek unë për këtë çështje. Kur them tek unë, kuptoj autoriteti drejtues i policisë.
E njihni apo jo Ziso Kristopulin?
As nuk e kam dëgjuar dhe as nuk e di. E kam dëgjuar vetëm nëpërmjet shtypit. Nuk di të ketë lidhje në ndonjë çështje që ka të bëjë me policinë. E kam dëgjuar këto vitet e fundit dhe ma kanë treguar personalisht kur kam bërë një pushim të shkurtër në Sarandë. Më thanë që ky është ai Kristopuli që flitet nëpër gazeta. Do të dëshiroja që me të njëjtin pasion të ndiqni edhe hetimin e kolegëve të mi të vrarë.

Pasardhësi i Gazidedes: Në SHIK s‘ka dosje për Remziun

Gjykata për Krimet e Rënda u njoh në seancën e djeshme edhe me dëshmitë e Arben Karkinit, pasuesi i Bashkim Gazidedes në Shërbimin Sekret, si dhe rrëfimin e Lefter Janajt, mjek kardiolog nga Saranda.
Ndërsa ish-kreu i SHIK-ut dëshmoi përpara togave të zeza gjithçka dinte lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, për mjekun Janaj gjykata pranoi leximin e deklarimeve të tij të dhëna më parë për Prokurorinë, pasi ai dëshmitar nuk jeton më. Ish-zyrtari i SHIK-ut, Karkini mohoi përpara gjykatës të kishte dijeni mbi rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Duke sqaruar se koha e qëndrimit të tij në krye të Shërbimit Informativ kishte zgjatur nga fundi i majit 1997 deri në shtator të atij viti, ai u shpreh se vrasjet dhe rrëmbimet në këtë periudhë kanë qenë të shumta. “Për rastin ‘Hoxha’ jam informuar nga prokurori Ibrahim Lahaj”, u shpreh ai, duke thënë se prokurori në fjalë i kishte kërkuar informacion mbi këtë ngjarje. “Kam ndërhyrë për t’i hapur rrugën, për të hyrë në kartotekën e SHIK-ut. Por pasi kishte kërkuar për të dhëna mbi këtë rast, më tha që nuk kishte gjetur gjë”, tha pasardhësi i Gazidedes në SHIK. Gjithashtu ish-kreu i Shërbimit Sekret mohoi që gjatë qëndrimit të tij në këtë institucion të kishte gjetur materiale në lidhje me Remzi Hoxhën, Ziso Kristopulin apo Abdyl Loshajn, tre të rrëmbyerit nga SHIK-u në vitin 1995.
Dëshmia e mjekut
Mjeku kardiolog Lefter Janaj ka dëshmuar para oficerëve të Policisë Gjyqësore në 4 shkurt të vitit 2003. Ai ka sqaruar kurimin në Greqi të Ziso Kristopulin për plagët e marra në Vain të Lezhës pas rrëmbimit nga SHIK-u. Sipas dëshmisë së mjekut, gjatë vitit 1996 ai ndodhej në një spital të Athinës. Ziso Kristopuli është paraqitur tek ai në fund të viti 1996. “Më tha që e kishin rrëmbyer disa persona me dhunë dhe e kishin rrahur e torturuar në një zonë në Veri të Shqipërisë”, thuhej në deklarimin e dhënë nga mjeku, që e njihte Kristopulin si banor të Sarandës. Sipas mjekut, pasi ai i kishte bërë kontrollin mjekësor Kristopulit, “pacienti” kishte rezultuar me një hematomë në mushkëri që ishte shkaktuar nga goditje të forta. Ndër të tjera kardiologu Jahaj, sqaronte se fakti që emri i Kristopulit nuk ekzistonte në regjistrat e spitalit grek, ishte pasojë e kurimit privatisht, për t’i shmangur detyrimet financiare ndaj spitalit.                      a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›