E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandanti i Aviacionit: Ju tregoj për shokët që m’u vranë para syve

 

RIZA LAHI

Ka shërbyer tre dekada në Forcat Ajrore dhe njihet si një nga pilotët më të mirë. Ka bërë detyrën e komandantit të aviacionit luftarak për 15 vjet me radhë dhe ndjehet mirë që ajo mbetet periudha më e artë në historikun e armës. Aktualisht jeton në SHBA dhe është i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Lajmin për shfarrosjen e aeroplanëve të parkut shqiptar, e ka pritur me gjakftohtësi dhe burrëri, siç pritet vdekja e shokut më të ngushtë. Ende vazhdon të ruajë dinjitetin e tij me heshtje; madje edhe kur shkon në baret e zhurmshme ku pinë kafe shumica e veteranëve të aviacionit dhe gëlon sheshit lavdia e dikurshme. I mbërthyer në heshtjen karakteristike, Bardhyl Taçi i ngjet një gruaje të ve që ka vendosur të mos martohet më. Nga historia e mbyllur tashmë e aviacionit luftarak shqiptar, ish-komandanti ka dëshirë t’u kthehet ditëve më të mira dhe shokëve që kanë rënë në krye të detyrës. Në kujtesë i kanë mbetur të fiksuara momentet kur është ndarë me pilotët e vrarë gjatë demostrimeve stërvitore. I ka qëlluar t’i ndjekë me sy çastet fatale të tyre, të dëgjojë në vesh fjalët e fundit dhe të përcjellë te familjet e tyre lajmin e kobshëm. E ka përjetuar me dhimbje të madhe ndarjen me ta, po i është dashur ta mbledhë shpejt veten e të rrezatojë kurajo te vartësit jeta e të cilëve çdo moment kalonte pranë rrezikut…
Komandant Bardhyli! Aviacioni luftarak ka mbi 30 pilotë të rënë në krye të detyrës. Kur jeni ballafaquar me vdekjen e parë në ajër?
Historia e aviacionit është e larë me gjakun e shokëve tanë.   Bëhet mbi 35 numuri i dëshmorëve nga radhët e aviatorëve. I pari nga pilotët e rënë në krye të detyrës ka qënë Vasil Trasha. Rënien e tij e kam parë me sytë e mi. Ai ishte njëri nga pionierët e aviacionit luftarak dhe mjeshtër i vërtetë i fluturimeve. Vasili ishte dëshmori i parë i aviacionit luftarak shqiptar. Tragjedia e tij daton diku në vitin 1958… 
Si e kujtoni dëshmorin Vasil Trasha dhe çfarë mbani mend nga rrethanat në të cilat u aksidentua bashkë me avionin?
Ishte njeri i mrekullueshëm Vasili. E kishte pasion të madh profesionin dhe fluturimin. I talentuar e mjeshër si ai. Ishte gjith reflekse, të cilët i gëlonin që në ecje, që në të folur. Vasili ishte pilot i klasit të parë, pra që kishte përfunduar programe dhe ishte në gjëndje të fluturonte në të gjitha kushtet meteorollogjike, ditën dhe natën. Ishte komandant i skuadriljes… 
Është e vërtetë se ka asgjësuar një objekt në lartësi 9000 metra?
Ishte një objekt i lëshuar nga komshinjtë tanë; një ballonë  e mbushur me ajër të lehtë. Plotë nëntë mijë metra mbi tokë. Tentoi ta rrëzonte më parë një shoku ynë, por nuk ja doli. Pas tij u ngrit Vasil Trasha. Ai nuk gaboi në mënyrën që përdori për realizimin e detyrës, në emër të mbrojtjes së hapësirës së vendit; në emër të mosdhunimit të saj. Ju afrua objektit me guxim, e vuri në shënjestër dhe shtypi butonin me vendosmëri. Gjithçka pastaj shkoi për mrekulli. Vasil Trasha ishte një qitës i shkëlqyer në ajër...  
Të kthehemi te nata e tragjedisë në Kuçovë… 
Ishte një fluturim stërvitor. Vasili mbante titullin “Pilot i Klasit të Parë” dhe ushtrimet ishin parashikuar në pështatje me klasin e tij. Ishte një natë shumë e keqe, me shi, erë e suferinë. Pa i lëvizur asnjë nerv, me fytyrën si prej hekuri, komandant Vasili i qetë ju drejtua kabinës. U ngrit në rrebesh e sipër. Ne, më të rinjtë që e ndiqnim nga poshtë na ngjau si një luan. Ka qenë një leksion i mahnitëshëm për gjithë jetën time,  demostrimi i tij i asaj nate. Plotësoi detyrën me sukses dhe kur po vinte për në aerodrom, humbi papritur. U vra. Me siguri ndikuan kushtet atmosferike; për më tepër, kur, mjetet tona radioteknike ato vite ishin shumë të dobëta. Kështu më humbi para syve komandanti im i parë Vasil Tasha…
Rënia e Vasil Trashës ka qenë katastrofa e parë ajrore që keni parë nga afër. U kujtohet reagimi i shokëve ato çaste? 
Patjetër që më kujtohet, madje me detaje. Vasili ishte komandanti ynë dhe na u vra para syve. Pikërisht, ai burrë i qetë që na kishte mësuar të gjithve,  ra papritur kur e prisnim të ulej e të na rrëfente për fluturimin e radhës. Katastrofa shkaktoi dhimbje të madhe. U drodhëm e lotuam në heshtje. Po duhej ta mblidhnim veten…
Ishte katastrofa e parë ajrore dhe njëherazi tragjedia e parë në aviacionin luftarak. Çfarë mbani mend nga përjetimet e atyre momenteve?
Deri në ato çaste profesioni për ne ishte një lloj krenarie. E papritura me Vasil Trashën na bëri të mendojmë se përpara do të kishim edhe rrisqe të rrezikshme. Jehona e vrasjes së pilotit të parë, tronditi krejt familjet e aviatorëve. Nisi një lloj presioni i familjarëve ndaj djemve të tyre që sa kishin filluar profesionin e aviatorit, por nuk ngjiti. Askush nuk kërkoi të largohej apo të bënte manovra për t’u tërhequr nga kabina e avionit. Ishte krejt e thjeshtë ta bëjë këtë atëherë. Mjafton dy- tre herë “koka...stomaku...s’ndjehem mirë” dhe të largonin menjëherë…
Cila ishte katastrofa tjetër pas asaj të Vasil Trashës?
Katastrofa tjetër ishte ajo që mori jetën e pilotëve, Refit Jazoi dhe Muharrem Hida. Ata u vranë në aerodromin e Lushnjës; një aerodrom i vogël, fushor. Kishin shkruar atje në ndihmë të bujqësisë dhe ranë në tokë nga lartësia 70 – 80 metra. U vranë në ngritje prej spostimit të ngarkesës që kishin vendosur në avionin An – 2. Të dy ishin pilotë të “Skuadriljes” së Tiranës, siç i thoshim ne atëherë. Ajo ishte baza ku ngriheshin aeroplanët që sperkatnin tokat e bujqësisë apo zonat kënetore, plazhe, pyje etj. Me sa kujtoj unë, pas asaj katastrofe,  megjithëse u bënë shumë e shumë orë, fluturimi dhe në përgjithësi punët shkuan shumë mirë, na ndodhi dhe një katastrofë tjetër...  
Që përfundoi pa vdekje...
Këtë herë fati kishte qenë me pilotët dhe katastrofa fatmirësisht nuk prodhoi vdekje. Gjithçka ndodhi papritur gjatë një manovre ajrore të dy pilotëve me përvojë, instruktorit të shkollës së aviacionit, Sybi Koçi dhe pilotit gjuajtës, të vetmit pilot rom të aviacionit shqiptar, Lutfi Hyseni. Atyre iu bllokua motorri në gaz të vogël, nga një ndërhyrje e pakualifikuar që kishte bërë gjatë punimeve një teknik. Pilotët raportuan, u ndodhi bllokimi ndërsa po vinin në bazë dhe, fare pak metra para se të mbërrinin aty, takuan në tokë, duke iu shmangur, sigurisht, me kujdes dhe mjeshtërisht, ndonjë shtylle, peme apo banese. Mirëpo, toka ku ranë ishte shumë e butë, rrotat u zhytën dhe aeroplani ktheu përmbys. Sidoqoftë pilotët shpëtuan dhe pas trajtimit intesiv në Spitalin Ushtarak, ju rikthyen përsëri aerodromit deri sa dolën në pesion…
Në kujtimet tuaja keni shkruar për vrasjen e pilotëve Sabri Toçi e Armando Gjoka
Kanë qenë me një gjuajtës dy vendësh dhe u ngritën në ajër për realizimin e detyrës së dhënë. Sabriu ishte një pilot me përvojë, 38-vjeçar, Armandoua i ri, 25 vjeç. Gjatë fluturimit, ata ranë, sigurisht nga një gabim njerëzor, në një figurë shumë të vështirë, që quhet “shtopor”, apo “turjelë” në gjuhën tonë. Në pozicionin e “shtoporrit”, aeroplani vete vertikalisht drejt tokës duke u rrotulluar qark boshtit vertikal si gjethe e tharë. Gjatë plotësimit të shtoporës, janë pas vërtetuar disa raste vrasjesh në Bashkimin Sovjetik të atëherëshëm, dhe, më së fundi, ata e hoqën fare nga programi më reaktiv i kësaj figure vdekjeje. Ne në shkollën tonë të aviacionit e kemi patur në program mësimin e shtoporës nga studentët tanë. Në asnjë mënyrë me reaktiv, por me aeroplanin me helikë Tip – 61.  Studentët tanë mësoheshin kështu që, në ndonjë rast që t’u vinte gjatë jetës, qoftë edhe një herë të vetme, ata të mos ishin të pamësuar. Rasti ua solli atyre të dyve...
Si e morët vesh që ata gjetën vdekjen përmes shtoporrës?
Raportoi Sabri Toçi. Piloti trimi nga Dibra, raportoi para vdekjes. Jo vetëm kaq, por bënë të gjitha përpjekjet që ta nxirrnin aeroplanin nga shtopora. Ndërkohë që mund të hidheshin me katapultë, gjë që donte të thoshte braktisje e aeroplanit, kur ne i kishim shumë të shtrenjtë, por nuk u hodhën....Ata në përleshjen heroike me vdekjen e sigurtë, arritën ta nxirrnin aeroplanin nga rrotullimet e vrikshme drejt tokës, e nxorën, por, nuk arritën të merrnin lartësinë sepse takuan në çastet e fundit me tokën dhe ...gjithçka përfundoi në katastrofë tragjike.
Ka patur mjaft raste që pilotët nuk e kanë braktisur aeroplanin, madje, edhe kur janë urdhëruar, nuk kanë pranuar të zbresin në tokë pa avionin e tyre...
Në përgjithësi kështu ka ndodhur. Vështirë që në gjithë historinë e aviacionit luftarak të gjeshë ndonjë rast që piloti ta ketë braktisur avionin në ajar. Bilal Sina është urdhëruar të braktiste aeroplanin dhe nuk e ka zbatuar urdhrin. Atij i është fikur motorri në lartësinë 6000 metra me reaktiv dhe që andej, duke shfrytëzuar formën aerodinamike të krahëve dhe forcën e rëndesës, ka arritur të vijë në aerodromin e tij, në Kuçovë. Po kështu piloti Hasip Budo është ulur pa rrotën e hundës me MIG 19. Ka patur pastaj mjaft raste të tjera që pilotët pranë katastrofës ajrore nuk kanë pranuar të hidhen duke braktisur avionin. Në situata të veçanta, ata kanë bërë manovrën e fundit duke devijuar avionin nga zonat e banuara.
Keni qenë i pranishëm në katastrofën që i mori jetën pilotit të talentuar Azbi Seriani…
Po zhvillohej një stërvitje e madhe, e koduar me emrin “Peza”. Kishte pjesëmarrje masive të ushtrisë, përfshirë edhe një katërshe aeroplanësh MIG 19. Erdhi koha që të hynte “në luftë” aviacioni luftarak. Unë - udhëheqës fluturimi në poligon. Kur erdhi katërshja drejt poligonit, i pari u fut për të qëlluar komandanti i saj, Azbi Seriani. Hyri, po nuk doli më. Pashë një tym dhe urdhërova pilotët e tjerë, Harilla Rebin, Hamza Kocin e Pandeli Lëngun, që të ktheheshin menjëherë në bazë. Duke vrapuar me një frymë gati një gjysmë ore që nga strehimi, më së fundi u ndodhëm në vendin ku kishte dhënë jetën heroi. Ende kishte shpërthime. Ishin 300 predha avioni që shpërthenin papushim. Njëra prej tyre kërceu dhe desh e vrau një ushtar, të cilit vetëm i fshiku pakëz lëkurën. Unë arrita të mbledh në shlemafonin e Azbi  Serianit, trutë e tij dhe kocka. Munda të  gjej edhe një copë të tubit të topit. Ai tub ishte si i prerë me sharrë. Ishte e qartë se i kishte plasur predha e topit që në aeroplan; qëkur kish shkelur  butonin për “zjarr”. Ishte e tmerrshme në repart. Mirëpo, më e hatashmja erdhi po brenda asaj dite. Erdhi urdhri i prerë i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Duhej   vazhduar loja. “Njëlloj si në luftë, ku edhe mund të na vriten shokët”, qe urdhri i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume.
Duhej nisur kortezhi me Hazbiun në Tiranë. Ai alamet Hazbiu aq i mirë e aq i shtrenjtë për të gjithë, na iku mu para syve, duke e përpirë flakët dhe në mes të xhehenemit të predhave.
Njerëzit ishin të vrarë në shpirt. Si të mpirë. Të heshtur…mbase edhe të trembur  ndonjëri, por askush nuk  e dha veten. Duhej shkundur situata......Mblodha kallaballëkun tim mirë dhe u përpoqa të hiqesha sa më i qetë. I mblodha djemtë dhe u thashë qetësisht se cilit ia merrte mendja të drejtonte katërshen për të nesërmen në shenjat e caktuara.
Pra, që do të hapte zjarr i pari atje...”Atje”
Po po, ashtu.  Ata e dinin se unë kisha dy muaj pa fluturuar, pasi isha shkëputur nga jeta e repartit për në akademi, dhe po shikonin njëri-tjetrin. Nuk i lashë të mendonin më gjatë.  U thashë se atë gjë do ta bëja unë. Pikërisht unë do ta drejtoja katërshen. Mora aeroplanin...
Dhe u nisët për të vazhduar qitjen menjëherë? Ashtu?
Jo, bëra tjetër gjë. U ngrita dhe bëra pilotazh vertikal në lartësi shumë të ulët para syve të shokëve. Që të shkundej gjendja e mpirë dhe ku endej me intensitet hieja e vrasjes së Azbiut. Urdhri ishte që të qëllohej në të njëjtin poligon. Të qëllohej të nesërmen e vrasjes së shokut tonë. Të qëllohej në vendin ku ende nuk ishte tharë gjaku i Azbiut të shkretë. Azbiut të mrekullueshëm. Pastaj u ngrit katërshja dhe vazhdoi detyra…
Ju keni qenë udhëheqës fluturimi kur është vrarë në ajër piloti Stlian Tanka. Çfarë mbani mend nga ato çaste fatale?
Ai ishte në detyrë me pilotin tjetër, Petrika Kostani, dhe bënin imitim luftimi ajror. Ky ushtrim është një ushtrim i vështirë dhe kërkon mobilizim dhe sedër të madhe. Njëri nga pilotët imiton armikun dhe tjetri i sulet që ta asgjësojë. I pari bën çmos t’i shpëtojë “asgjësimit”; I dyti përpiqet për të kundërtën. E pyeta Petrikën se, përse nuk  ndjehet Stiliani në radio dhe m’u përgjigj se nuk e shikonte gjëkundi. Pas pak më raportoi se poshtë shikonte tym. Stiliani i shkretë, në pikiatë dhe me shpejtësi të madhe, kishte braktisur avionin duke tentuar të hidhej me parashutë, por pa sukses. Atë natë kam kaluar një natë të tmerruar…
vijon nesër...

MIG-ët, shkëlqimi dhe lavdia e një historie të mbyllur

I kemi thënë përfundimisht “Lamtumirë!” epokës së MIG-ut, mbretit të aviacionit luftarak. Në historinë e mbyllur tashmë janë koleksionuar vlerat, nëpërmjet të cilave shkëlqeu biografia e armës, ish krenaria e mbrojtjes kombëtare dikur. Kujtimet e protagonistëve janë pjesa më interesante e saj. Bardhyl Taçi e Riza Lahi janë dy nga emrat e njohur të korpusit të pilotëve, megjithëse në dy pozicione të ndryshme. I pari, njëri nga veteranët e aviacionit dhe komandant i Forcave Ajërore për 10 vite me radhë dhe tjetri, piloti që ka hedhur në 20 libra jetëshkrimin e shokëve që bënë historinë e armës. Në bisedën e tyre në këtë “Post mortum”, vjen retrospektiva e zhvillimeve të aviacionit luftarak në vite dhe një pjesë e kontributit dhe sakrificave të jashtëzakonshme të kolegëve të tyre që e lidhën jetën, madje dhe vdekjen me të. Pjesën më të rëndësishme të rrëfimit të tyre e zënë ngjarjet me pilotët e MIG-ëve që u martirizuan gjatë kryerjes së detyrës dhe u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Ndërkaq për herë të parë zbulojnë për gazetën “Panorama” disa nga “misteret” që u përjetuan në bazat ajrore në harkun kohor 50-vjeçar, ku çdo gjë që lidhej me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tyre, me shkallën e përgatitjes dhe kualifikimit të pilotëve, me rastet e triumfit mbi shkeljet ajrore dhe uljen e detyruar të avionëve të huaj në aerodromet tona, qëndronin të koleksionuara në dosjen “Top Sekret”                         A. Imaj
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›