E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia miraton anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

18/02/2009  Basha: Përfundoi procesi i ratifikimeve

Greqia dhe Senati i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta kanw miratuar Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Vendimet e sotme shënojnë përfundimin procedurave të ratifikimit të protokolleve nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, duke i hapur rrugë kështu antarësimit të plotë të Shqipërisë në Aleancë, në Samitin e ardhshëm të Strasburg-Kehl-it”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë sonë të jashtme. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme falënderon të gjitha vendet anëtare të Aleancës për impenjimin e dëshmuar, në përmbushje të angazhimit politik, të marrë gjatë Samitit të Bukureshtit, për të ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit përpara Samitit të prillit 2009. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson gjithashtu se, periudha e shkurtër - vetëm disa mujore, gjatë së cilës u realizuan të gjitha ratifikimet, është një shprehje tjetër e mbështetjes së vazhdueshme dhe të pakursyer që vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit Euroatlantik. Përfundimi i këtij procesi historik është shprehje e vlerësimit të partnerëve tanë për reformat e gjithanshme të ndërmarra nga Qeveria shqiptare dhe transformimet e padiskutueshme që ka përjetuar Shqipëria këto vitet e fundit. Gjithashtu, ky hap shpreh besimin e vendeve anëtare të Organizatës në aftësinë e Shqipërisë për të qenë një aleat i denjë dhe i besueshëm, me kapacitetet e nevojshme për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në sistemin e sigurisë kolektive. Duke përfituar nga ky rast i shënuar, Ministria e Punëve të Jashtme siguron vendet anëtare të NATO-s se Shqipëria është e gatshme për tu përballur me përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë Aleancë dhe është plotësisht e vendosur për të vijuar procesin e reformave në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm institucioneve dhe shtetit ligjor, me qëllim përmbushjen e standardeve të nevojshme që kërkon integrimi Euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›