E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi troket gotën me Berishën, takohet me Ramën

18/02/2009  Njëvjetori i pavarësisë së Kosovës bashkon politikën dhe diplomatët

Festa e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës përveçse ka shënuar një moment të veçantë për çdokënd duket se ka bashkuar politikën shqiptare. Për një çast politikanët shqiptarë kanë lënë mënjanë mëritë dhe akuzat, ndërsa nuk kanë ngurruar të trokasin gotat në shenjë simbolike apo të shtrëngojnë duart e njëri-tjetrit. Akulli është thyer nga Presidenti Bamir Topi, i cili menjëherë pas përshëndetjeve zyrtare është drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duke trokitur gotat dhe duke shkëmbyer urimin e rastit. Më tej Topi ka vijuar një tjetër takim jo pak miqësor me paraardhësin e tij, ish-presidentin Alfred Moisiu dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Rustem Gjata. Takimet dhe shtrëngimet e duarve të kreut të shtetit kanë vijuar me kreun e PS-së Edi Rama si dhe me deputetët socialistë që e shoqëronin atë në këtë ceremoni festive. Por njëkohësisht duket se festa e organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë nuk ka shërbyer vetëm për të ulur tonet mes të djathtëve, por edhe mes të majtëve. Kështu, kryetari i PS-së Edi Rama nuk ka shmangur një takim me deputetët Elmaz Sherifi apo Bukurosh Stafa, të cilët u përjashtuan nga grupi parlamentar socialist në verën e vitit 2007, pasi morën pjesë në votimin ku u zgjodh Bamir Topi në postin e Presidentit të Republikës. Një tjetër takim të shkurtër Rama ka zhvilluar me deputetin demokrat Aleksandër Biberaj, i cili pak kohë më parë u shkarkua në mënyrë të paqartë nga posti i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në anën tjetër, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, kanë zhvilluar një bisedë disaminutëshe me ambasadoren e Çekisë në Tiranë, një nga diplomatet që ka kundërshtuar së tepërmi zbatimin e ligjit të dosjeve. Por gjithashtu në vëmendje të kreut të qeverisë kanë qenë edhe shumë diplomatë të tjerë të pranishëm, ndërsa është shmangur takimi apo qoftë edhe një përplasje gote me kreun socialist Rama. Ndërsa në përshëndetjen e mbajtur në pritjen e zhvilluar nga ambasada e Kosovës, Presidenti Bamir Topi u shpreh se kjo ditëlindje e parë e Kosovës shënon edhe një moment mirënjohje për të gjitha ato vende që njohën pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin atë. Topi tha se sot Kosova është shembulli i bashkëjetesës multietnike. "Kosova ndihmon zhvillimin e rajonit. Kosova e pavarur, demokratike dhe sovrane do të bëhet shteti i barabartë mes të barabartëve", - deklaroi Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›