E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi, 500 euro për një vend pune

18/02/2009  Një sanitare në kurth

KORÇË- Një banore e qytetit të Korçës, e cila kohë më parë kishte humbur vendin e punës si sanitare në spitalin e qytetit të Korçës ka rënë pre e mashtrimit, duke marrë premtimin se përmes një pagese në euro do të zinte sërish atë vend pune që kishte patur. Për rrjedhojë banorja e Korçës ka humbur 500 euro, por nuk ka mundur kurrsesi të ishte sërish punonjëse e spitalit të Korçës. Nga burimet e policisë mësohet se mashtrues i qytetares nga Korça, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, ishte mashtruar nga 36-vjeçari, Idlir Spaho. Për këtë arsye, shtetasja në fjalë, e gjendur në rrethanat e mashtrimit ka qenë e detyruar t’i drejtohet policisë për ndihmë, ku kjo e fundit ka arrestuar 37-vjeçarin Spaho banor të lagjes nr. 4 në Korçë. Ndalimi i tij, sqarojnë burimet e policisë, u bë pasi me anë të mashtrimit i ka marrë një shtetaseje që banonte në lagjen e tij në Korçë një shumë prej 500 euro, duke i premtuar se nëpërmjet një shoku të tij, do ta rifuste në punë si sanitare në spitalin rajonal të Korçës. Tashmë për personin e ndaluar janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal. Muajt e fundit janë shtuar aksionet e sektorit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, degë të të cilit në rrethe po evidentojnë përditë raste abuzimesh, teksa janë vënë në pranga me dhjetëra shkelës të ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›