E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia, në fund të rezervës së të hollave

Gazeta Shqip

Ndërsa bisedimet e koalicionit qeverisës vazhdojnë për kushtet e kursimeve

Partnerët e koalicionit në Greqi kanë dështuar deri tani që të bien dakord në lidhje me detajet e kursimit të 11.5 miliardë eurove që kërkohen nga huadhënësit ndërkombëtarë në këmbim të zhbllokimit të ndihmës ekonomike. Madje një ministër ka paralajmëruar se tashmë rezervat e parave ishin në fund.

Koalicioni trepartiak i drejtuar nga Kryeministri i vendit, Samaras, është takuar dje për të arritur një marrëveshje, pasi nuk ia ka dalë mbanë deri më tani. Samaras vazhdon që të sigurojë trojkën e huadhënësve ndërkombëtarë se detajet e kursimeve që u kërkohen do të jenë të gatshme javës që vjen. Por, ndërkaq, lideri i socialistëve, Venizellos, ish-ministër i Financave, është kundër vazhdimit të reduktimit të pagave dhe pensioneve nga frika e përshkallëzimit të protestave sociale në vend, të cilat kanë qenë të shpeshta në Greqi që nga fillimi i krizës. Ai mbështetet në këtë qëndrim të tij nga Partia e Majtë, një parti e vogël, që është gjithashtu anëtare e koalicionit. Venizelos është për një kursim prej 6.5 miliardësh vitin që vjen dhe në vitet në vijim deri në vitin 2016. Por çdo ndryshim do të thotë problem me paratë, ndërkohë që Gjermania dhe politikanët e saj gjatë javëve të fundit po e përsërisin që Greqia duhet të zbatojë kushtet aktuale të marrëveshjes për paketën e shpëtimit, sepse në të kundërt do të duhet që të largohet nga eurozona.

Komisioneri i BE-së, Barrozo, gjatë një vizite që bëri në këtë vend javës që shkoi, i deklaroi Kryeministrit se fjalët nuk mjaftojnë dhe se Greqia duhet që të flasë me vepra dhe të jetë konkrete. Ndërkaq, zëvendësministri grek i Financave deklaroi dje se nuk kishte kohë më për të humbur dhe se rezervat në të holla ishin në fundin e tyre dhe nuk do të mbetej asgjë nëse nuk do të përfitohej transhi i radhës i paketës 130 miliardëshe të ndihmës financiare që përfiton Greqia. Rezervat në të holla janë thuajse në zero, ka deklaruar Christos Staikouras në televizion.

Greqia, në fund të rezervës së të hollave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›