Qeveria: Kriza botërore nuk prek biznesin vendës
Qeveria thotë se nuk ka vend për panik mbi krizën financiare që ka përfshirë gjithë globin. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli dhe ai i Financave, Ridvan Bode gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, kërkuan reagimin, ruajtjen e qetësisë përballë situatës me të cilën përballen shumica e vendeve të botës. Ministri Bode tha se vendi do të pësojë rënie ekonomike dhe do të ulet konsumi, por kjo rënie nuk do të dëmtojë bizneset. “Të mos hapet panik. Kriza është për blerësit dhe jo për bizneset”,- tha Bode dje në takimin e Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kërkoi nga bizneset të mos reagojnë instiktivisht, por të hartojnë studime mbi rreziqet e mundshme. Sipas tij, bashkëpunimi me biznesin është i rëndësishëm, në kushtet kur e gjithë bota është përfshirë në një krizë globale. Ruli tha se efektet e saj nuk do të jenë aq të mëdha në vendin tonë, pasi ekonomia jonë nuk është e hapur në atë masë.