E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhetorët, shpërblime deri në një pagë

Më shumë se 100 mijë buxhetorë do të marrin 10 mijë deri një pagë shpërblim

Familjet me shumë fëmijë dhe buxhetorët me paga të ulëta, prioritet në vlerën e shpërblimit

TIRANË- Kryeministri Berisha bëri të ditur dje vendimin e qeverisë për shpërblimin e punonjësve buxhetorë, i cili, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, do të variojë nga 10 mijë lekë, deri në një pagë, por jo më shumë se dy paga. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, ku shpërblimi përcaktohej duke u bazuar në performancën personale dhe në fondin e mbetur të institucionit, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, këtë vit, më të privilegjuar do të jenë personat në nevojë, ata që kanë paga të ulëta dhe familjet me shumë fëmijë. Me këtë vendim, në përcaktimin e plotë të shumës që punonjësi do të përfitojë, nuk përjashtohet plotësisht marrja parasysh e vlerësimeve të titullarit. Subjekt i këtij akti normativ do të jenë rreth 107 mijë punonjës buxhetorë dhe të administratës, të cilët, së bashku me pagën e muajit, do të marrin edhe shpërblimin e fundvitit të caktuar nga qeveria. “Qeveria këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta”, - u shpreh Berisha gjatë bërjes të ditur të këtij vendimi. Ai shtoi gjithashtu se, pavarësisht gjendjes së fondit të pagave, përmbi atyre të ulëta, kufiri për administratën publike do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dy paga, përfshirë pagën e muajit. “Me këtë vendim kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë”, - tha Berisha. Ashtu siç ishte paralajmëruar, shuma e plotë e shpërblimit që do të përfitojnë punonjësit buxhetorë do të varet nga shpenzimet që ka bërë institucioni ku ata punojnë. Kështu, nëse një institucion e ka shteruar fondin e tij të veçantë, punonjësit e tij do të përfitojnë vetëm 10 mijë lekë. Për sa u përket institucioneve, të cilët nuk e kanë shpenzuar të tërë fondin e tyre, pavarësisht kësaj, për përcaktimin e shtesës mbi shumën prej 10 mijë lekësh që është e vendosur me VKM, një rol të rëndësishëm do të luajë edhe titullari i institucionit, i cili merr në konsideratë mbarëvajtjen vjetore të punonjësve para se të vendosë shumën shtesë që i takon secilit prej tyre. Në ndryshim nga praktika e viteve të mëparshem, këtë vit, pavarësisht vlerësimeve të titullarit të institucionit dhe të fondit që ka mbetur, të privilegjuar për përfitimin e një page shtesë shpërblim, sipas qeverisë, do të jenë personat që janë më në nevojë, ata që kanë paga të ulëta dhe ata me shumë fëmijë. Duke hedhur poshtë zërat se premtimet e qeverisë për shpërblime dhe rritje pagash bëhen me qëllime elektorale, Berisha deklaroi se ky proces është një qëllim konstant i qeverisë dhe nuk ka të bëjë me asnjë qëllim tjetër, përveç shërbimit dhe shërbesave dhe zemrës së dhembshur. E Senja

107 mijë punonjës që do të përfitojnë

10 mijë lekë është shuma minimale e shpërblimit

1 rrogë shuma maksimale e shpërblimit

520 mijë pensionistë do të përfitojnë nga shpërblimi i fundvitit

5 mijë lekë është shuma që do të përfitojë çdo pensionist

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›