E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia në zgjedhje të reja. Dështon takimi në presidencë

ATHINE - Ora 15 00 - Perfundoi takimi i lidereve politike ne presidence. Kreret politike u larguan pa bere deklarata pervec kreut te Grekeve te Pavarur qe tha se "Refuzuan nje qeveri të unitetit kombëtar. Preferojne huadhenesit, para nje zgjidhjeje kombetare".

Venizelos: Fatkeqesisht vendi shkon ne zgjedhje. U përpoqëm të bindim SYRIZA dhe DIMAR për partneritet, nuk pranuan. Mbizotëronte arroganca dhe aventurizmi. Nuk duhej të shkonim në zgjedhje, por meqe do shkojme domosdoshmerisht, le të shkojmë të bashkuar.

Priten deklaratat e Samaras, Cipras, Kouvelis dhe komunikimi i Presidentit të Republikës.

Ora 13:09 - Liderët politikë, me përjashtim të kreut të Agimit të Artë që nuk ishte ftuar dhe kreut të Partisë Komuniste që e refuzoi ftesën, janë mbledhur tek presidenti i vendit, në një përpjekje tjetër, me shumë pak shanse, për krijimin e qeverisë, që do të shmangte zgjedhjet pas pak javësh.

Presidenti Papulias iu tha pjesëmarrësve se "duhet të bëjmë çdo përpjekje për të formuar një qeveri uniteti me personalitete të njohur e të pranuar". Papulias e sugjeroi që mbrëmë krijimin e një qeverie uniteti me personalitete, që të kenë mbështetjen e palëve, opsion që do të mbështetet me siguri nga ND dhe PASOK, ndërkohë që kreu i Grekëve të pavarur, Panos Kamenos deklaroi sot para se të hynte në takim se "mandati i popullit është i qartë për çvlerësim të Memorandumit". Ai shtoi se kusht për mbështetjen e tij, janë 7 kërkesat që ka paraqitur në takimet e kaluara.

Treguese e klimës së pesimizmit që mbizotëron ishte deklarata e Venizelos. Kur u pyet nga gazetarët "nëse sot do të jetë një ditë e mirë", ai u përgjigj "vetëm Zoti e di".

Nëse edhe ky propozim rrëzohet, atëherë nuk ka shpresë tjetër. Dështimi do të thotë zgjedhje të reja, të cilat, sipas sondazheve, mund të sjellin një qeveri, që kundërshton me forcë uljen e mëtejshme të shpenzimeve dhe kërkon të anulojë paketën e shpëtimit, gjë që mund të rrezikojë qëndrimin e Greqisë në Euro. 

Reagime 

Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë se Evropa është e përgatitur për një largim të mundshëm të Greqisë nga eurozona, dobësimi i euros ditët e fundit për shkak të situatës politike në këtë vend, i ka tronditur mbarë bursat evropiane dhe po dëgjohen deklarata të kujdesshme, kundër daljes së Greqisë nga euro. 

Eurogrupi i bëri presion Greqise të respektojë marrëveshjen duke e kërcënuar me prerje të fondeve, ndërkohë që burime nga nga KE dhe FMN lënë të hapur mundësinë e rinegociimit të disa pjesëve të Memorandumit, për të parandaluar fundosjen e vendit në recesion të thellë. 

Edhe presidenti i Eurogroup, Jean-Claude Juncker la të hapur mundësinë e shtrirjes së kohës për zvogëlimin e deficitit fiskal të Greqisë. Ai tha në një intervistë, se kryesore tani është formimi i qeverisë greke, e cila do të zbatojë programin e dytë rregullues, dhe cilësoi “absurditet dhe propagandë”, daljen e Greqisë nga Euro. Presidenti i Eurogroup, tha se "personalisht unë jam kategorikisht kundër daljes së Greqisë nga eurozona".

Nga ana e tij, Olli Rehn tha "Ne duam që Greqia të qëndrojë në euro që të kthehen kushtet e shëndetshme financiare, gjatë zbatimit të programit të dytë të rregullimit fiskal."

“Ne nuk do të fitonim asgjë nga një dalje e Greqisë nga eurozona," tha në mbledhjen e Eurogrupit ministri belg i Financave, Steven Vanakere. "Është e pakuptimtë të flasësh për gjëra që nuk do ta zgjidhin problemin e vërtetë dhe themelor, domethënë mbështetjen e konkurrencës dhe ekonominë," tha ai duke shtuar se "ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë është brenda eurozonës." 

Po ashtu OBEZH mendon se “një falimentim i Greqisë do të thotë katastrofë sociale”. Ekonomisti i Organizmit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Pier Carlo Padoan tha se, "sapo të kalojë parrugëdaljen politike që u krijua mbas zgjedhjeve, Greqia duhet të përparojë në zbatimin e masave për uljen e defiçitit dhe të luftojë shmangien fiskale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›