“Mirëpresim Shqipërinë në rrugën evropiane”

Ministri danez për Integrimin, Wammen
Mandati i presidencës daneze të Bashkimit Evropian përfundon sot pas 6 muajsh kryesimi (1 janar 2012-1 korrik 2012). Ministri danez për Integrimin, Nicolai Wammen tha dje se Danimarka mbështetin kursin e integrimit të Shqipërisë dhe një gjë të tilla do ta bëjë edhe në vijim nga pozitat e saj si anëtare të BE-së. Wammen inkurajon faktorin politik në avancimin e reformave, për t’i hapur rrugë progresit të integrimit.
“Ne duam që të bëhet progres dhe që të bëhen reformat. Me këtë mesazh unë vizitova dhe Shqipërinë. Ne e mirëpresim vendin në rrugën evropiane, por nuk ka bileta falas për anëtarësimin në BE dhe në Shqipëri ka shumë punë që duhen bërë. Ky ka qenë mesazhi i dhënë që nga dita e parë, dhe ky mesazh mbetet në fuqi edhe në ditën e fundit të Presidencës daneze”, u shpreh Wammen.
Ai vlerësoi zgjedhjen e presidentit të ri sipas Kushtetutës, ndërsa theksoi se ajo që mungoi ishte rruga e bashkimit. “Presidenti i ri u zgjodh sipas rregullave të Kushtetutës shqiptare, por në të njëjtën kohë ai u votua nga një shumicë tepër e ngushtë. Për këtë arsye është ekstremisht e rëndësishme që Presidenti, por edhe në përgjithësi lidershipi i Shqipërisë, të zgjedhin rrugën e bashkimit të palëve përbërëse të jetës politike në vend, që Shqipëria të bashkohet e të përparojë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për të gjitha palët e përfshira dhe ky është gjithashtu mesazhi i radhës nga Presidenca daneze”.
Ministri danez për Integrimin, Nicolai Wammen theksoi se për statusin e kandidatit, Shqipëria duhet të dëshmojë realizimin e reformave. Në këtë sens, ai i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të tregojë pjekurinë e duhur.
“Është me të vërtetë shumë në dorën e Shqipërisë për të dëshmuar progresin që kërkohet. Prandaj, mbi shpatullat e politikanëve kryesorë në Shqipëri rëndon një përgjegjësi e stërmadhe. Pjesa tjetër e Evropës, përfshirë Bashkimin Evropian, do të vijojnë të ndjekin nga shumë pranë zhvillimet në vend, dhe unë besoj se ‘topi’ është tashmë në fushën e Qeverisë shqiptare”, tha më tej ai.
Danimarka i dorëzon sot Qipros mandatin e presidencës 6-mujore të Bashkimit Evropian, i cila përfundon më 1 janar 2013-ë.