Greqia paralizohet nga greva 24-orëshe
Autori i Lajmit: RedaksiaAthinë – Greqia është paralizuar nga greva. Sindikatat kanë zhvilluar ditën e djeshme demonstrata në mbarë Greqinë, në shenjë proteste për uljen e shpenzimeve që kanë si qëllim të rivendosin besimin ndërkombëtar tek ekonomia e vendit. Në shenjë proteste ndaj programit të kursimeve të njoftuar nga qeveria, në Greqi mjekët dhe gazetarët kanë hyrë në grevë. Në spitale u trajtuan vetëm rastet urgjente. Në radio dhe televizion lajmet nuk u transmetuan. Një grevë e planifikuar e ekuipazheve të trageteve u shpall e paligjshme, ndërsa një ditë më parë në grevë u hodhën mësuesit. Por teksa punëtorët mund të jenë të zemëruar për masat e propozuara në fillim të javës nga kryeministri Jorgos Papandreu, analistët financiarë besojnë se ai nuk ka bërë maksimumin, duke dëmtuar kredibilitetin financiar të Greqisë. Greva 24-orëshe është thirrur nga një bllok komunist dhe është mbështetur nga sindikata e quajtur PAME, inicialet e së cilës përkthehen "shkojmë". Duke iu bërë thirrje të dalin në rrugë punëtorëve të porteve, nëpunësve civilë, mësuesve dhe mjekëve, sindikata tha se anëtarët e saj nuk do të paguanin për pasojat e krizës kapitaliste. Dy sindikatat kryesore në Greqi nuk marrin pjesë në grevë, por ato pritet ta rishikojnë qëndrimin e tyre. Në fillim të javës, kryeministri Papandreu tha se të gjithë duhet të mbanin pak dhembje mbi supe për të rivendosur besimin në ekonominë greke. Por Agjencia e Vlerësimit të Kreditit, Standard and Poor, ndan pikëpamjet e ekspertëve të tjerë financiarë, që thonë se planet e kryeministrit për të reduktuar borxhin e Greqisë nuk ishin aq sa duhet radikale. Zoti Papandreu beson se ka mundësinë për ta përmbysur realitetin në Greqi. Por ai ka mbetur i mbërthyer mes dhëmbëve të investitorëve nga jashtë dhe ambicieve politike të partive të pakicës, të cilat pasi humbën në zgjedhje dy muaj më parë, tani shohin një mundësi për të treguar forcën. Në intervistën që kryeministri Jorgos Papandreu dha më herët këtë javë për rrjetin televiziv ndërkombëtar BBC, për zhvillimet ekonomike dhe daljen e Greqisë nga kriza, deklaroi se Greqia me masat drastike, të cilat i bëri të njohura, do të arrijë të zvogëlojë deficitin brenda një afati konkret. “Banka Qendrore Evropiane, tregjet ndërkombëtare dhe natyrisht ne, duam zvogëlimin e borxhit e të deficitit tonë brenda një afati konkret. Pikërisht, këtë do ta arrijmë me masat drastike që njoftova dhe me ato që kam si qëllim dhe jam i vendosur të bëj”, - tha numri 1 i qeverisë greke.
Reagimi i Brukselit
Komisioni Evropian reagoi pozitivisht për planin e paraqitur nga kryeministri Jorgos Papandreu për rimëkëmbjen e ekonomisë. Komisioneri i BE-së, kompetent për çështjet ekonomike dhe monetare, Joaquin Almunia, u shpreh se deklaratat e z.Papandreu janë në drejtimin e duhur, por siç tha, pret më tepër detaje për masat, ashtu siç do të paraqiten në Programin e Stabilitetit dhe Zhvillimit. “Ne shënojmë angazhimin e qeverise greke, ashtu siç u paraqit të hënën nga kryeministri Jorgos Papandreu për zvogëlimin e deficitit publik dhe borxhit shtetëror nëpërmjet uljes së shpenzimeve dhe rritjes së të ardhurave në sektorin publik”, - thuhej në deklaratën e z.Almunia. “Brukseli, - plotëson komisioneri evropian, - pret me padurim të shohë në Programin e Stabilitetit, që pritet të paraqitet në muajin janar, masa konkrete që do të forcojnë buxhetin në vitin 2010 dhe do të sigurojnë një konsolidim të shpejtë të financave publike. Do të vazhdojmë mbikëqyrjen e gjendjes makroekonomike dhe financiare si edhe zbatimin e masave, vazhdoi komisioneri evropian i ngarkuar me mbikëqyrjen buxhetore në BE, Joaquin Almunia.
Shtypi maqedonas
Paprandreu po shqyrton njohjen e Kosovës
“Jo zyrtarisht në BE po spekulohet se Jorgos Papandreu është duke u menduar për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe për ta mbyllur këtë çështje të hapur për Athinën”, - shkruan gazeta maqedonase “Utrinski Vesnik” në një artikull për procesin e integrimit të Maqedonisë dhe vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike.
Gazeta shkruan se ky fakt mund të ndodhë sepse për Uashingtonin dhe Brukselin zyrtar çështja e Kosovës është më e rëndësishme se ajo për emrin kushtetues të Maqedonisë.
Emri, Ivanov-Papandreu takim informal në Kopenhagen
Kopenhagen - Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me kërkesë të tij në margjinat e Samitit për ndryshime klimatike në Kopenhagen, pati një takim të shkurtër me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu. Presidenti Ivanov përshëndeti vendosjen e dialogut mes dy vendeve, i cili duhet të kontribuojë për rritjen e besimit, për mirëkuptim më të mirë të udhëheqjeve politike. Dy shoqëritë komunikojnë dhe bashkëpunojnë pa asnjë problem. Komunikimi i tillë, pa dyshim, do të rritet me liberalizimin e vizave, konstatoi presidenti Ivanov. Përgatitjen e tij për komunikim të hapur, presidenti Ivanov e konfirmoi me disa thirrje të dërguara deri tek presidenti grek, Karolios Papulias, për një takim, i cili duhet të kontribuojë në relaksimin e marrëdhënieve të politikave të ndërsjella. Me këtë rast, presidenti i Maqedonisë tha se problemin të cilin Republika e Greqisë ka me emrin tonë, është pasojë e disa kohërave të vjetra dhe paragjykimeve të një epoke tjetër.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009