E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha nuk ia fali Fenit arrestimin e 4 radikalëve

Autori i Lajmit: Androkli DraloHong-Kong, 7 nëntor 1976 – Një valë e vogël nga dallga e jashtëzakonshme e spastrimeve të tetorit në Kinë ka arritur vendin e vogël të Ballkanit, Shqipërinë, duke ngritur kështu dyshime të reja për marrëdhënien e saj me shtetin gjigant, i cili ka qenë aleati i saj kryesor. Enver Hoxha, 68 vjeç, udhëheqësi i Shqipërisë 2.5-milionëshe, u kuptua dukshëm kur nuk i thuri lavde administratës së re kineze të kryetarit të partisë, Hua Kuo Fen, gjatë fjalimit përshëndetës të tij javën e kaluar në Kongresin e 7-të të Partisë së Punës të Shqipërisë. Telegrami i urimit të Hoxhës dërguar Fenit për emërimin e tij si kryetari që pasoi Mao Ce Dunin mbërriti shumë vonë dhe ishte çuditërisht shumë i shkurtër. Kina premtoi mbështetje të vazhdueshme për Shqipërinë ditën e sotme me anë të një mesazhi që shënonte 35-vjetorin e themelimit të Partisë së Punës të Shqipërisë, - tha Radio Pekini në një transmetim që u monitorua këtu. Edhe pse kinezët kanë vazhduar të lavdërojnë dhe ti japin një vëmendje të dukshme qeverisë së Hoxhës, udhëheqësi shqiptar duket me të vërtetë i pakënaqur që Hua Kuo Fen ka vënë në pranga katër udhëheqës radikalë kinezë, politikat e të cilëve Hoxha i çmonte shumë. Që prej vitit 1974 Hoxha ka spastruar shumë anëtarë të administratës së tij, të cilët përfaqësonin llojin e komunizmit pragmatist, i përkrahur nga ata që sot duket se po akuzohen në Pekin. Që kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe u shndërrua në aleaten e shpejtë të Kinës, ajo ka ndjekur linjën e drejtimit të Kinës, më maoiste të mundshme, duke vendosur pastërtinë ideologjike përpara zhvillimit ekonomik. Ajo ka përbuzur kontaktin me Perëndimin dhe ka kritikuar hapur Pekinin për avancimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën Perëndimore. “Nuk është e mundur që të përdorësh një imperializëm në mënyrë që të kundërshtosh tjetrin”, - tha Hoxha në Kongresin e fundit të Partisë në vitin 1971. Kjo ishte një shuplakë ndaj përpjekjeve të Maos për të kundërvënë amerikanët dhe rusët kundër njëri-tjetrit. Muajin e fundit Hoxha lajmëroi se ai kishte zbuluar një grup “tradhtarësh”, të cilët ishin përpjekur për të përçarë marrëdhëniet shqiptare me Kinën dhe kthimin në kampin sovjetik. Hoxha u rizgjodh kryetar i PPSH-së në përfundim të kongresit që zgjati një javë, - sipas një lajmi të ditës së sotme transmetuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, monitoruar në Vjenë nga “Agence France-Presse”. Të 12 anëtarët e Byrosë Politike u rizgjodhën, duke dëshmuar njëkohësisht se spastrimet e viteve të fundit kishin përfunduar. Zyrtari i fundit i vjetër që kishte vizituar kryeqytetin shqiptar, Tiranën, ishte Jao Ven Juan, propaganduesi dhe anëtar i Byrosë Politike, i cili u arrestua nga Hua Kuo Feni një muaj më parë së bashku me të venë e Maos, Çian Çinin dhe shokët e Byrosë Politike, Çang Çun Çiao dhe Van Hung Ven. Jao dhe të tjerët mendohet se kanë nxitur Hoxhën në sulmet e tij ndaj ekspertëve teknikë dhe burokratëve veteranë, të njëjtit lloj njerëzish që kinezët radikalë po përpiqeshin të përjashtonin nga vetë qeveria e tyre. “Miqësia e pathyeshme” ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë vjen si një surprizë e vogël. Fillimet e debatit të tanishëm mund të vihen re dhe në mosmiratimin e heshtur me të cilin Shqipëria mirëpriti diplomacinë e ping-pongut, që i hapi rrugën presidentit amerikan, Nikson, drejt një vizite në Pekin katër vite më parë. Por shqetësimi i Hoxhës për Kinën u rrit, pa dyshim, pas vdekjes së udhëheqësit Mao Ce Dun, këtë vit dhe spastrimit të fraksionit radikal në udhëheqjen kineze. Udhëheqësi shqiptar nuk duket se është ndikuar nga premtimi i mbështetjes dhe vazhdimit të ndihmës kineze nga lideri i ri i saj, Kryetari i Partisë Komuniste Kineze, Hua Kuo Fen. Sidoqoftë, vëzhguesit diplomatikë nga fqinji verior i Shqipërisë, Jugosllavia, besojnë se debati ideologjik me Kinën, mund të jetë një formë maskimi e largimit të vëmendjes ndaj mosmarrëveshjeve që kanë përfshirë kohët e fundit Partinë Komuniste Shqiptare. Gjatë kongresit të fundit të partisë, Hoxha akuzoi një numër zyrtarësh të vjetër, të cilët po përpiqeshin të organizonin një grusht shteti. Në një fjalim të gjatë, udhëheqësi shqiptar tha se armiqtë e tij ishin “hedhur në koshin e mbeturinave”, por spekulimet për kundërshtime të mëtejshme ndaj drejtimit të tij vazhdojnë të mbeten. Deri më tani, Shqipëria ka vazhduar që dy të tretat e shkëmbimeve tregtare ti kryejë me Kinën dhe ka pranuar ndihma të jashtëzakonshme nga Pekini. Ka pasur zëra se kjo ndihmë sa po vjen dhe zvogëlohet, por heshtja, si e shqiptarëve ashtu edhe e kinezëve, për të bërë publike ndonjë të dhënë të besueshme lidhur me këtë çështje e bën atë më të vështirë për ta verifikuar. Shqiptarët janë qartazi të shqetësuar për mundësinë se Hua Kuo Fen mund ta çojë Kinën drejt marrëdhënieve më të afërta me sovjetikët dhe të minimizojë nevojën e pasjes së një aleati të afërt kinez në Ballkan. Por për ta konfirmuar këtë ka ende shumë pak prova. “Të dyja palët, Pekini dhe Tirana janë ende të interesuara për të pasur marrëdhënie të afërta”, - thotë një analist këtu në Hong-Kong, - “por ato po tregohen që të dyja shumë të kujdesshme”. E si të kishte qenë për shkak të pasigurive që ata marrin nga Pekini, shqiptarët kanë bërë disa hapa përpara në zbutjen e tensioneve përkundrejt fqinjëve të tyre grekë dhe jugosllavë. Për gjatë tre dekadave, Hoxha ka arritur të zhvendoset nga lidhjet e ngushta me Beogradin, drejt Moskës dhe më pas Pekinit. Nëse Hua Kuo Feni do ta zhgënjejë atë, ai mund të vendosë të bëjë një ndryshim tjetër.

Korrik 1977

Akuzat e ndërsjellta, Tiranë-Pekin kanë përfunduar me një editorial flluskë të botuar dje në gazetën e Partisë Komuniste të Shqipërisë “Zëri i popullit”, i cili akuzonte Kinën për “oportunizëm” dhe “shmangie flagrante nga marksizëm-leninizmi”. Sulmi u shoqërua edhe nga akuzat ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat Shqipëria staliniste i klasifikon të dyja si “vende kapitaliste”. Editoriali i “Zërit të popullit” nuk e përmendi Kinën me emër, por sulmoi ithtarët e “teorisë së tre botëve”, e cila u zhvillua nga udhëheqësit kinezë për tu shërbyer që të justifikonin marrëdhëniet e përmirësuara me Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësit shqiptarë insistojnë në faktin se bota duhet të ndahet në vetëm dy kampe: atë socialist dhe imperialist. Artikulli hodhi baltë mbi politikën e jashtme kineze, duke thënë se parimi “armiku i armikut tim është miku im”, nuk mund të zbatohet kur bëhet fjalë për dy superfuqi, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sulmoi gjithashtu udhëheqësit e Botës së Tretë, si Zaire Mobutu Sese Seko (Presidenti i Zairesë), të cilët janë mbështetur nga Kina. Çfarëdolloj drejtimi që udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha, ka për qëllim të marrë Shqipëria, nuk ka gjasa që të jetë ai i kthimit në bllokun sovjetik, nga i cili ai u nda njëherë e përgjithmonë në vitin 1961.
Ky lajm është publikuar: 18/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›