E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i Klimës pranë dështimit, Berisha: “Shqipëria, superfuqi e gjelbër”

Autori i Lajmit: RedaksiaKopenhagen – Në fjalën e mbajtur në seancën e samitit të Klimës që mbahet në kryeqytetin danez dhe që përfundon punimet ditën e sotme, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare i konsideron ndryshimet klimatike si një prej kërcënimeve më serioze me të cilën përballet planeti ynë dhe një prej çështjeve më komplekse që duhet trajtuar me vendosmëri dhe efikasitet. Deklarata është bërë dje gjatë përshëndetjes së Berishës për Samitin për Ndryshimet Klimatike. “Si një vend i prekur nga ndryshimet klimatike, Shqipëria është e interesuar dhe e gatshme, për të kontribuar për zgjidhjen e çështjeve për të cilat kohët e fundit po diskutohet intensivisht në lidhje me ndryshimet klimaterike”. Në këtë prizëm, Berisha kërkoi që Samiti i Kopenhagenit të shikojë krijimin e një sistemi monitorimi për zbatimin e detyrimeve për reduktim nga vendet anëtare, konsolidimin e një sistemi kontributi financiar dhe transfertash të teknologjisë ekologjikisht të pastër drejt vendeve në zhvillim apo të pazhvilluara. Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria shqiptare ka integruar në Strategjinë e saj të Zhvillimit Kombëtar parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive të gjelbra duke synuar drejt një ekonomie pa karbon. “Gjithashtu, në politikat tona të zhvillimit ne po i përmbahemi parimit “Të veprojmë lokalisht dhe të mendojmë globalisht”, - shtoi Berisha. Por udhëheqësit botërorë që zbarkuan dje në kryeqytetin danez pranuan se ka filluar të zbehet shpresa për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për ndryshimet klimatike, pasi negociatat mes shteteve të pasura dhe të varfra kanë hyrë në një rreth vicioz. Një zyrtar theksoi se pritësi i Konferencës, Danimarka, ende nuk është dorëzuar, por shtoi se gjasat janë të vogla që të përmbushet plani ambicioz i Konferencës. “Siç duket tani, ne nuk do të arrijmë marrëveshjen, të cilën kemi shpresuar se do ta arrijmë”, - tha ky zyrtar, i cili deshi të mbetej anonim. Negociatat e deritanishme janë karakterizuar nga mosmarrëveshjet e mëdha mes SHBA-së dhe Kinës, dy ndotësit më të mëdhenj të ambientit në botë, si dhe nga mospajtimet mes shteteve të varfra dhe të pasura në lidhje me atë se çfarë duhet të bëhet në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me 100 miliardë dollarë në fondin ndërkombëtar, që do të ndihmojë vendet e varfra për tu përballur me ndryshimet klimatike. “Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të punojnë me vendet e tjera drejt një qëllimi të përbashkët për të mbledhur 100 miliardë dollarë deri në vitin 2020 për të adresuar nevojat e vendeve në zhvillim lidhur me ndryshimet klimatike”,- tha Hilari Klinton. Ndërsa Rusia është shprehur pro vendosjes së një shume prej 200 milionë $ për të ndihmuar vendet e varfra që të japin kontributin e tyre në luftën kundër ndryshimeve klimaterike.

Ky lajm është publikuar: 18/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›