Greqia paralizohet nga një grevë 24-orëshe
Një tjetër grevë e përgjithshme paralizon Greqinë për 24 orët e ardhshme. Greva është paralajmëruar nga krerët e sindikatave në vend zhvillohet në shenjë proteste kundër marrëveshjes që mendohet të jetë arritur mes qeverisë greke dhe trojkës (FMN, BE, BQE).
Ajo çka po ndodh është kronika e një vdekjeje të paralajmëruar, një shantazh social mizor sepse një popull i tërë kërcënohet nga varfëria, shprehen krerët e sindikatave.
Në grevën e përgjithshme do të marrin pjesë nëpunësit e sektorit publik dhe ata të ndërmarrjeve shtetërore, punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit. Gjithashtu, të mbyllura sot do të jenë edhe bankat dhe zyrat e pushtetit lokal.
Ndërkohë, në grevë janë edhe punonjësit e marinës, çka e bën të pamundur komunikimin mes ishujve të vendit. Në Athinë janë parashikuar të zhvillohen sot dy manifestime, të cilat do të përmbyllen në sheshin Sintagma, para Parlamentit. / G. Ndoja