E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbogar: Kosova dhe BE-ja, në fazën kyçe të marrëdhënieve

Përfaqësuesi i ri Special i BE-së dhe njëherësh shef i Zyrës së BE së në Kosovë, Samuel Zbogar, tha mbrëmë se Kosova ka hyrë në fazën kyçe të marrëdhënieve të saj me BE-në.

Duke folur me rastin e pritjes vjetore të BE-së në Prishtinë, Zbogar vlerësoi se vizita e fundit e Komisionares së BE-së për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom, dhe fillimi i dialogut lidhur me vizat, ishin zhvillime pozitive.

“Ky është vetëm një manifestim i një tempoje pozitive të cilën duhet ta zhvillojnë më tej BE-ja dhe Kosova. Nga ana jonë, ndryshimet e prezencës së BE-së, të cilat kanë hyrë në fuqi me emërimin tim, janë vendimtare për thellimin e raporteve me Kosovën. Prania e BE-së tani është unifikuar në mënyrë efektive. Kjo mundëson që BE-ja të flasë me një zë më të fuqishëm dhe më të qartë”, është shprehur Zbogar.

Ndërkaq shefi i EULEX-it, Ksavie dë Marnac, tha se Misioni si një ndër organet kryesore të BE-së në Kosovë, punon ngushtë me Zyrën e PSBE/BE-së dhe me institucionet e Kosovës. Ai theksoi se EULEX-i do të vazhdojë të zhvillojë dhe forcojë një sistem të pavarur dhe multietnik të drejtësisë, shërbime multietnike të policisë dhe të doganës.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se duhet bërë akoma më shumë për të arritur këtë objektivë në partneritet të ngushtë me autoritetet e Kosovës. Në emër të EULEX-it unë mund t’ju garantoj përkushtim të plotë. Por përfundimisht, është tejet e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë”, nënvizoi Dë Marnak.

Duke përmbledhur çështjet kryesore për vitin 2012, Dë Marnak dhe Zhbogar theksuan gjithashtu mbështetjen për dialogun dhe për qasjen e pakushtëzuar dhe të përhershme në veri. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›