E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Greqia, qëndrim pozitiv për liberalizimin e vizave”

Kryeministri i Greqisë përshëndet Kuvendin e Shqipërisë

TIRANE - Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamalis ka mbajtur dje një fjalë përshëndetëse përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Duke shprehur kënaqësinë e kësaj vizite, dhe duke vlerësuar ftesën e Kryeministrit Berisha, Karamalis u shpreh se “Viteve të fundit, ne Greqia dhe Shqipëria kemi zhvilluar marrëdhënie miqësie, bashkëpunimi dhe fqinjësie të mirë në mënyrë shumë dimensionale dhe esenciale. Lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Kryeministri Karamalis u shpreh se “Greqia mbështet ecurinë evropiane të Shqipërisë, e cila sigurisht presupozon plotësimin e kushteve dhe kritereve integruese që vendos BE”.
Kryeministri grek garantoi dhe për mbështetje në çështjen e liberalizimit të vizave, duke deklaruar se “Mbështetja greke konsiston gjithashtu edhe në qëndrimin tonë pozitiv kundrejt perspektivës së liberalizimit të regjimit të vizave. Në këtë kuadër, Qeveria ime ndjek nga afër përparimin që është arritur në zbatimin e reformave të domosdoshme. Të reformave që do të lejojnë liberalizimin e regjimit të vizave, duke i sjellë qytetarët e Shqipërisë më afër qytetarëve evropianë”.
Kryeministri Karamalis nënvizoi dhe rëndësinë e minoritetit etnik grek të Shqipërisë, i cili sipas tij “përbën një urë historike dhe thelbësore miqësie midis dy vendeve tona”. Duke u ndalur tek marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive, Karamalis tha se “Brenda kësaj klime bashkëpunimi konstruktiv u bë i mundur dhe nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes, veçanërisht të rëndësishme të përcaktimit të zonave detare dhe të Shelfit Kontinental midis Greqisë dhe Shqipërisë”.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi Kryeministri grek kujtoi dhe marrëveshjen e nënshkruar para dy muajsh, atë të varrezave ushtarake të ushtarëve grekë, që ranë duke luftuar në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.
Duke folur më tej për investimet greke në Shqipëri, Kryeministri Karamalis tha se “Prezenca dinamike e kompanive greke që aktivizohen, dhe e theksoj këtë, do të vazhdojmë të zhvillojmë aktivitet në Shqipëri, me gjithë konjukturat e vështira dhe të ndërlikuara ekonomike botërore, kontribuon në mënyrë decizive për zhvillimin e ekonomisë shqiptare”.
Kreu i qeverisë greke ka folur dhe për remnitancat që emigrantët shqiptarë që ndodhen në Greqi dërgojnë në vendin e tyre.
Kryeministri grek siguroi se “Greqia dëshiron zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, si dhe të investimeve në Shqipëri dhe do të vazhdojë të përgjigjet pozitivisht kërkesave të miqve tanë shqiptarë, për shanse reciprokisht dobiprurëse biznesi”, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe në sektorë të ndryshëm siç është kryesisht, energjia dhe rrjetet që po planifikohen të transmetimit të saj. 
Kryeministri Karamalis ka përfituar nga ky rast për të përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e vlerësuar këtë proces, edhe si një moment të rëndësishëm për rolin e Shqipërisë si kontribuuese e paqes në Ballkan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›