Zog Shetaj, i fundmi gajdexhi i Hasit
Ka qenë vetëm 12 vjeç kur ka nisur të praktikohet. Zog Sheta është ndoshta instrumentisti i fundit në Rrethin e Hasit. Ka lindur në Krumë më 1954, është i martuar dhe ka 5 fëmijë. Gajden, instrument pak i njohur sot, e ka trashëgimi familjare. Gjithçka ka qenë e lidhur me pasionin, derisa në fillim të viteve ‘80 zbulohet si instrumentist. Prej asaj kohe ka marrë pjesë në festivale të ndryshme folklorike, përfshirë atë të Gjirokastrës. Dëshiron që këtë instrument, të cilin e trashëgoi nga të parët, t’ia lërë dikujt, por ende nuk është i vendosur
Zog Sheta është ndoshta instrumentisti i fundit në Rrethin e Hasit. Ka lindur në Krumë më 1954, është i martuar dhe ka 5 fëmijë. Gajden, instrument pak i njohur sot, e ka trashëgimi familjare. Ai ka dëgjuar t’i bjerë kësaj vegle edhe gjyshi i tij Aliu. Gajdja, një vegël popullore apo baritone, sot është në zhdukje. Sheta ka nisur të merret me pipëzat (emërtim i gajdes në të folmen e Hasit) që në moshën 12-vjeçare, ndërsa është bërë i njohur në zonë si instrumentist vetëm aty nga vitet ‘80. Zog tregon se deri në vitet ‘60-‘70 kishte një numër personash që luanin shumë bukur instrumentin e gajdes, kryesisht mjeshtër të vjetër. Tregon se ka qenë muzikanti profesionist, Binak Elezi, që e “zbuloi” aty nga fillimi i viteve ‘80 gjatë një ekspedite muzikore. “Në atë kohë merrja frymë në pipëza dhe luajta tre- katër melodi që ishin të rralla. Prej asaj kohe kam marrë pjesë në shumë festivale të folklorit”, thotë Zog Sheta, duke theksuar se që nga ai moment jeta e tij ndryshoi. “Prej tre dekadash nuk jam ndarë më nga skena e folkut brenda dhe jashtë Shqipërisë”, thotë instrumentisti, duke treguar se vetëm vitin e fundit ai ka marrë dy medalje të vendit të parë, një në festivalin e Gjirokastrës dhe një në festivalin e instrumentistëve të zhvilluar në Kosovë. Sipas studiuesve, instrumenti i gajdes ka një histori tepër të vjetër, që zë fill në periudhat parailire dhe ilire, ndërsa nuk mund të thuhet me siguri nëse një trevë e caktuar ka ruajtur gjithnjë autenticitetin e melodisë dhe ritmit. Gjithsesi, variantet lokale shqiptare ruajnë elementë të veçantë që flasin për individualitet muzikor folklorik. Në formën e vet origjinale, kjo vegël nuk përdoret, aq më pak nuk prodhohet më si dikur. Në krejt rajonin e verilindjes ndodhet vetëm një instrumentist, të paktën i njohur, Zog Sheta nga Kruma. Ai vazhdon ende t’i bjerë këtij instrumenti e të krijojë tinguj të veçantë me të. Në Rrethin e Kukësit nuk gjenden as bartës e as instrumente të gajdes, ndërsa në Tropojë janë tepër të rrallë. Sot, pas shumë vitesh, para se të tregojë për veten dhe lidhjen e tij me këtë instrument bariton, Sheta nis të tregojë për traditën familjare. Aty e ka fillin historia e tij me këtë instrument. “Kam arritur të dëgjoj edhe gjyshin tim duke i rënë gajdes. Më vonë babai im i ka rënë shumë bukur, ndërsa ma ka lënë mua trashëgim dhe jo vetëm mjeshtërinë e melodive, por edhe veglën”, thotë Zogu. Në shekullin XIX dhe deri në gjysmën e shekullit XX kjo vegël ka qenë një simbol i adhurimit baritor, i lidhur me kultin e blegtorisë dhe është luajtur kryesisht një melodi bazë me të paktën 5 apo edhe deri në 7 variante. “Në festat tradicionale të zonës gajdja ka qenë instrumenti kryesor që është luajtur”, thotë ai. Rëndom është përdorur e vetme, por më vonë është harmonizuar edhe me vegla të tjera, duke qenë produkt muzikor shumë tërheqës.
Një instrument i gajdes jeton relativisht shumë, më shumë se tre breza. Sheta tregon se edhe ndërtimi i veglës muzikore të gajdes ka qenë në traditën e hershme të familjes. “Vegla me të cilën unë luaj është ndërtuar nga babai im në vitin 1955, kur unë isha ende i vogël. Me kalimin e viteve më ka mësuar edhe mënyrën se si ta ruaj të paprishur”, thotë instrumentisti për gajden më shumë se gjysmëshekullore. Ai tregon se edhe vetë ka mësuar të ndërtojë gajde, madje pipëzat, pjesa prej druri ku formohen tingujt, ndërtohen dhe rindërtohen disa herë prej drurit të panjës. Gajdja punohet me lëkurën e kecit, e cila rripet që në fillim për këtë qëllim, madje vendoset në një kovë me gëlqere për tri ditë rresht, duke bërë që të pastrohet nga leshi dhe të forcojë përmbajtjen e vet. Ruhet në një temperaturë konstante, e mbrojtur nga lagështira dhe të nxehtët, dhe për më tepër nëse nuk përdoret, ajo prishet. “është interesante, por nëse nuk e përdor për një fare kohe, gajdja shkatërrohet vetvetiu dhe mbaron”, thotë Zogu, duke e përshkruar këtë instrument sikur të fliste për një gjë me shpirt.
Ashtu sikundër një numër instrumentesh janë zhdukur ndër shekuj, janë zëvendësuar nga të tjera instrumente apo për arsyen e thjeshtë të modernizimit, edhe gajdja rrezikon të zhduket. Të paktën në rrethinën e Hasit, Sheta është i vetmi që aktualisht luan 6 apo më shumë melodi të vjetra. Në rrethe të tjera të jugut ka një përhapje më të gjerë, një integrim më të thellë me instrumente të tjera, por në Has fati i gajdes është thjesht në dorën e Zogut. “Kam dëshirë që t’ia lë trashëgim dikujt këtë vegël, djalit tim ose dikujt tjetër”, thotë ai, duke shtuar se po përpiqet të hetojë talentin dhe përkushtimin e brezit të sotëm, në mënyrë që edhe kësaj here gajdja të mos japë shpirt, por të jetojë edhe një brez, ndoshta edhe më shumë. “Të thashë, është një vegël e vështirë, duhet ta dashurosh, nuk mjafton vetëm të formosh disa melodi, por duhet ta mbash me kujdes, si të mbash një fëmijë të përjetshëm”, thotë Zogu, duke përshkruar instrumentin e gajdes. Ai tregon se edhe në fshatin çarr të Rrethit të Hasit është një miku i tij që ka shfaqur interes për të birin lidhur me gajden, por këtu, siç thotë vetë Zogu, është në plan të parë merita dhe talenti. Ai ende nuk e ka vendosur se kujt do t’ia lëshojë stafetën.
#