Olldashi: "Rama shiti tokën te ‘Tajvani‘ nën çmimin real"
Edi Rama ia ka shitur tokën në qendër të Tiranës, shoqërisë "Tajvan" me 6.5% të çmimit real. Kjo ishte akuza e bërë dje nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, në një konferencë për shtyp. Duke u bazuar edhe tek dokumentet, Olldashi theksoi se në bazë të kontratës çmimi i shitjes është 12 mijë lekë të reja për m², ose 97 euro për m² për një truall në qendër të Tiranës. Por sipas ministrit të Transporteve, se në të njëjtën kohë Bashkia e Tiranës vendosi një vlerë prej 1500 eurosh për m² për shitjen e tokës rrethuese të hotel "Dajtit". "Pra kemi këto fakte, në tetor të vitit 2004 Bashkia e Tiranës, truallin përballë hotel ‘Dajtit‘ e vlerëson me 1500 euro për m², në maj 2005, katër muaj më vonë, çmimi matanë rrugës, në lulishten e ‘Tajvanit‘ e vlerëson me 97 euro për m²", konkludoi ministri i Transporteve. Sipas tij, dokumentacioni për çështjet përkatëse e tregon qartë abuzimin që është bërë me shitjen e këtij trualli.