E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, dhunë policore mbi të dënuarit në burgun e Grevenasë

Gjatë pasdites së djeshme, forcat speciale greke EKAM kanë ushtruar një kontroll të dhunshëm në burgun e Grevenasë, ku vuajnë dënimin midis të tjerësh, edhe shtetas shqiptarë.

Denoncimi për dhunën e ushtruar erdhi fillimisht nga disa të dënuar shqiptarë, të cilët treguan për "News 24" se policia me maska ka bërë terror pa shkak, ka rrahur të dënuarit me shkop gome, ka përdorur elektroshok, iu ka grisur flamurin shqiptar, ka hedhur mbi rrobat e tyre vaj, kafe, shampo, iu ka thyer fotografitë e fëmijëve dhe familjarëve. Ata thanë se kanë si dëshmi rrobat e grisura dhe shenjat e dhunës në trup.

Të njëjtën gjë denoncojnë edhe disa media greke, të cilat shkruajnë se veprimet dhe sjellja e policisë në burgun e Grevenasë ka qenë brutale dhe e paligjshme. Sipas mediave, policia ka përdorur rrymë elektrike mbi 40 të dënuar. Rezultatet e torturave ishin të dhimbshme; ato çuan në konvulsione dhe simptoma të tjera tek të burgosurit, madje një i moshuar pësoi paralizë.

Mediat shkruajnë se është koha që drejtuesit e ministrive të përfshira në skandal të japin shpjegime për këto veprime me pasoja të papranueshme, për dhunën fashiste, që herët a vonë do të shkaktojë pasojat e saj.

Që nga ngjarjet e fundit në burgun e Malandrionos dhe Trikalas, policia speciale greke EKAM ushtron kontrolle të vazhdueshme nëpër burgjet e vendit, për gjetjen e armëve dhe objekteve të tjera të ndaluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›