E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dr. Terry Gill në Tiranë, me ftesë të Universitetit “Luarasi”

TIRANE – Gjatë një leksioni të hapur me studentë dhe pedagogë të Universitetit juridik “Luarasi” si dhe Universitetit të Tiranës, profesori Terry Gill, i njohur si një nga ekspertët më në zë të drejtësisë ndërkombëtare për çështje të së drejtës dhe lirive të njeriut, ka bërë një rezyme të situatës gjeopolitike në rajon dhe Lindjen e Mesme.
Ai i është përgjigjur dhe interesit të auditorit për legjitimitetin e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, 13 vite më parë.

“Qëndrimet e shteteve europiane ndaj pavarësisë së Kosovës janë të shprehura në qëndrimet që kanë paraqitur përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si me shkrim ashtu edhe me gojë. Në të vërtetë disa prej tyre shkuan edhe më tej dhe thanë që populli i Kosovës kishte një të drejtë shumë të qartë për vetëvendosje dhe kishte të drejtën për ta shpallur atë. Gjykata nuk u shpreh nëse Kosova është një shtet, megjithatë nuk kishte asgjë kundër shpalljes së pavarësisë.”- deklaroi profesori Gill.

Doktor Terry Gill, i cili ka mbërritur në Shqipëri me ftesë të Universitetit “Luarasi”, është i njohur në arenën ndërkombëtare si autor i dhjetëra publikimeve dhe kërkimeve shkencore me peshë në të drejtën ndërkombëtare.

Për publikun shqiptar profesor Gill është i njohur si këshilltar dhe avokat i Republikës së Shqipërisë në vitet 2009-2010 për procedimet këshillimore mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke respektuar ligjet ndërkombëtare. Ai gjithashtu u ka dhënë mësim edhe dhjetëra studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Holandë, ndër ta edhe kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, me të cilin ka zhvilluar dhe një takim sot në mesditë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›