Greva, ACR nuk zëvendëson minatorët grevistë
Kompania ACR ka dështuar kur i kërcënoi minatorët se ditën e hënë do të zëvendësoheshin nga minatorë të tjerë
BULQIZË Ende pa asnjë zgjidhje situata e minatorëve, ndërsa greva ka vazhduar edhe dje. Kompania ACR deklaroi të premten e kaluar se ajo është e vendosur që ditën e hënë minatorët duhet të fillonin punën, ndryshe ata do të zëvendësoheshin me minatorë të tjerë. Minatorët e grumbulluar në orën 07.00 para zyrave të ACR-së nuk kanë pranuar të hyjnë në minierë, ndërkohë hyrja e pusit nr.1 ishte blinduar me forca të shumta policie, pasi drejtues të minierës kishin hedhur dyshime se në minierë mund të hynin disa minatorë dhe mund të fillonin një tjetër grevë urie. Gryka e pusit u mbajt e rrethuar deri në momentin kur minatorët zbritën në sheshin e qytetit. Asnjë minator nuk ka pranuar të hyjë në galeri, ndërkohë në lidhje me këtë ACR dje ka heshtur. Në një farë mënyre dje kanë dështuar edhe minatorët. Ata kishin njoftuar nëpërmjet medias se do të hynin në një tjetër grevë urie. Ndoshta bllokimi i pusit ka bërë që minatorët të ndërtojnë tjetër strategji. ACR nuk mundi të bindë minatorët t’u kthehen vendeve të tyre të punës, por as sindikata nuk i bindi minatorët të nisnin një tjetër grevë urie. Pra, të dyja palët për ditën e djeshme kanë dështuar. Sipas drejtuesve të këshillit sindikal të minatorëve, mendohet se të paktën 2000 mijë bulqizakë kanë protestuar dje paqësisht në sheshin “Minatori” të Bulqizës. Minatorët që zbritën nga miniera kishin me vete fëmijët e tyre. Protesta ishte paqësore dhe pa incidente. Në fjalën e tij Kol Nikollaj, President i KSSH-së tha se ACR dështoi me njoftimin e saj, pasi ajo shkeli ligjin për grevën. “Asnjë minator nuk ka nisur sot punën në minierë. Deri në plotësimin e të gjitha kërkseave asnjë nuk do t’i bindet ACR-së. Na vjen keq që sot mes nesh ka shumë fëmijë, nxënës të shkollave. Ne nuk po i përdorim ata për qëllime politike siç bëjnë partitë. Ata nuk kanë libra për të nisur vitin e ri shkollor. Do të jenë në mbështetje të prindërve deri në plotësimin e kërkesave të deklaruara”-tha Nikollaj për “Mapo”.PAJTIM HASA