Rama: Politika, jo skenë për një grusht njerëzish
Kryetari i Partisë Socialiste ka ndalur rrugëtimin e tij “Dialog me Shqipërinë” në rrethin e Fierit, ku ka bashkëbiseduar me fermerët e kësaj zone, në lidhje me problematikën që shqetëson sot fshatin shqiptar. Duke bashkëbiseduar me banorë të fshatrave Kuman, Darëzezë dhe Krutje, kreu socialist ka dëgjuar me vëmendje të gjithë problematikën e këtyre bujqve e fermerëve, të cilët kanë vënë theksin në mekanikën bujqësore të munguar, ose tek çmimet mjaft të larta të karburantit, apo edhe në mungesën e tregjeve bujqësore. Gjatë fjalës së vet të mbajtur në këto takime, Rama i është rikthyer edhe një herë idesë se politika duhet të jetë një marrëdhënie e re mes qytetarëve dhe politikëbërësve, duke trajtuar në vazhdimësi problemet e tyre dhe jo interesat e veta të ngushta. Duke u përqëndruar pikërisht tek kjo marrëdhënie, kryesocialisti nuk ka nguruar t’u përcjellë një mesazh indirekt dhe deputetëve grevistë që janë ngujuar në Kuvendin e Shqipërisë, në kërkim të përfaqësimit të tyre në komisionet zgjedhore.“Politika ka 18 vjet që është kthyer në një skenë, ku një grusht njerëzish kacafyten me njëri-tjetrin, ku ata që quhen apo vetëquhen politikanë, flasin në emrin tonë, flasin në emrin e popullit, por në fakt, jeta realiteti, rezultatet, kanë treguar se shohin, përgjithësisht, interesat e tyre. Mirëpo politika nuk është kjo, politika ka lindur për të zgjidhur problemet që njerëzit nuk i zgjidhin dot vetëm. Një fermer, një bujk që duhet të përballet me problemet e vaditjes, të kullimit, të farërave, të kostove të larta të prodhimit, të mungesës së tregut, nuk i zgjidh dot i vetëm këto probleme”, - deklaroi Rama. Ndërkohë, Rama ka shpjeguar për të pranishmit në këto takime se qëllimi i kësaj faze të "Dialogut me Shqipërinë", është gjetja e zgjidhjeve për të gjithë problematikën e punës me tokën në bujqësi. “Fitorja e zgjedhjeve nuk është qëllimi ynë, as pushteti nuk është qëllimi ynë. Fitorja e zgjedhjeve dhe pushteti na duhen për të realizuar qëllimet tona të përbashkëta, që janë të mundim varfërinë, papunësinë, të mundim korrupsionin, injorancën, dhunën, këto janë qëllimet tona. Fitorja është mjeti për të realizuar këto qëllime. Pushteti është mjeti për t'i realizuar këto qëllime. Deri më sot ne kemi vuajtur për shkak se pushteti është qëllim në vetvete i atyre që e kanë dhe nuk është as në shërbim të njerëzve, dhe as në marrëdhënie me njerëzit. Kjo duhet të ndryshojë!”, - tha Rama.