Greva e minatorëve, LSI bën thirrje për dialog

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërrë thirrje grevistëve minatorë dhe kompanisë ACR, që të gjejnë rrugët e dialogut për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e situatës.
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Ardit Çela shprehu në emër të LSI-së keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhen minatorët, si dhe kërkoi gjetjen e një zgjidhje për situatën. “Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh keqardhjen e saj, se marrëdhëniet mes kompanisë private ACR dhe minatorëve të Bulqizës, i detyruan ata të futen e të ngujohen në grevë urie. Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh shqetësimin për gjendjen e rënduar shëndetësore të minatorëve, dhe i fton palët të gjejnë rrugën e arsyes përmes dialogut dhe partneritetit, sepse mbi çdo interes tjetër, parësore është jeta e minatorëve”- tha Çela.
Ai gjithashtu shtoi se ekzistojnë të gjitha mundësinë për gjetjen e një marrëveshje konsensuale mes palëve.
“Ne jemi të bindur, dhe shprehim besimin tonë, se ekziston e gjithë hapësira e duhur për dialog, për të arritur një marrëveshje sa më të shpejtë e konsensuale, në mënyrë që t’i jepet fund kësaj situate, e në mënyrë që puna të rifillojë normalisht”- shtoi Çela.