Greva e urisë, PD rrëzon kushtet e PS
ADI SHKEMBI
Partia Demokratike u përgjigjet negativisht kushteve të PS-së për të ndërprerë grevën e urisë. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha dje se oferta e opozitës nuk ka asnjë lidhje me paketën e ofruar nga vetë maxhoranca për zgjidhjen e krizës. “Ju ftoj sinqerisht që të mos ngatërroni dhe aq më pak të vini shenjën e barazimit mes ofertave tona shumë serioze dhe preteksteve apo retorikës që përpiqet të mbajë gjallë apo të ushqejë me oksigjen një kauze, që nuk ekziston”, tha dje nënkryetari i PD-së, gjatë një konference për shtyp, ku përshëndeti deklaratën e Partive Socialiste Evropiane, të cilat bëjnë thirrje për dialog dhe transparencë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas kreut të deputetëve të PD-së, greva e urisë që po zhvillohet nga opozita, nuk ka lidhje me transparencën e zgjedhjeve. Patozi theksoi në të njëjtën kohë se Rama po kërkon të marrë pushtetin me mjete radikale. “Duhet ta kemi të qartë të gjithë, që e gjithë kjo vorbull e krijuar këta muaj, nuk ka lidhje, po ashtu edhe greva e urisë, që po zhvillohet në bulevard nuk ka lidhje me transparencën, por është pjesë e axhendës politike personale të zotit Rama, i cili humbjen e tij po e përjeton sikur Shqipëria të kishte dalë nga një luftë civile në 28 qershor dhe jo nga një proces normal e transparent. Zoti Rama sot po kërkon që me mjete radikale të arrijë atë që nuk arriti dot me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë jam i detyruar që t’i drejtohem atij, se ky është një mision i pamundur”, tha më tej nënkryetari i PD. Patozi theksoi se maxhoranca është gati të bashkëpunojë në Parlament me opozitën për të miratuar reformat që kërkojnë 84 vota. Njëkohësisht përfaqësuesi i maxhorancës konfirmoi qëndrimin për t’i dhënë opozitës vendimmarrjen në komisionin parlamentar për sa i përket reformës zgjedhore. “Më duhet të bëj të qartë gjithashtu se, ne i kemi kërkuar zotit Rama dhe partisë së tij që të hartojnë të gjitha amendamentet që dëshirojnë për kodin e ri elektoral, në dritën e sugjerimeve të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e fundit të Shqipëri. Le t’i dërgojë ato për një vlerësim në Komisionin e Venecias, apo në institucionet më të specializuara në botë për vëzhgimin e zgjedhjeve, OSBE-ODHIR, dhe ne nuk kemi asnjë problem që t’i votojmë ato pa asnjë ndryshim”, u shpreh Patozi. Dy ditë më parë deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, bëri publike gjashtë pika që opozita i konsideron shumë të rëndësishme dhe kusht për të dalë nga greva. Pika e parë ka të bëjë me transparencën e pakushtëzuar të zgjedhjeve, ndërkohë që në kërkesat e saj janë edhe transparenca e shifrave të ekonomisë apo edhe transparenca e funksionit të Këshillit Drejtues të TVSH-së.
Boçi: Rama do pushtet me çdo kusht Deputeti i PD-së
Luçiano Boçi, akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, se po kërkon të marrë pushtetin me dhunë. “Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtetin në tavolinë. Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtet me çdo mjet, bile edhe me çadra në bulevard. Bllokmenët e rinj duan pushtet me çdo kusht, përveçse me votë. Zoti Rama, në demokraci pushteti fitohet me votë, as me armë si bllokmenët e kanë traditë, as me mënyrën e re të grevës së urisë. Njoftojmë Zotin Rama se zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet dhe vetëm vota vendos”, tha Boçi gjatë një konferencë për shtyp.
Kushtet e grevistëve
• Transparenca e pakushtëzuar, përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë – jo për efekt të ndryshimit të rezultatit, po për efekt të nxjerrjes së problemeve e përgjegjësive në zbatimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor – dhe duke e shtrirë rrezen e hetimit mbi të gjithë problematikën e vënies së shtetit në shërbim të pushtetit për qëllime elektorale, duke qenë të hapur për të pranuar lidhur me qasjen ndaj kutive çdo zgjidhje të negociuar, që garanton transparencën pa sfiduar tërësinë e rezultatit të zgjedhjeve.
• Transparenca në funksionimin e Kuvendit me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj Qeverisë, përfaqësimin e ekuilibruar të shumicës dhe të opozitës në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe delegacionet parlamentare, kufizimin e imunitetit ndaj akuzave për korrupsion dhe arritjen e konsensusit për miratimin e një sërë ligjesh të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
• Transparenca e shifrave të ekonomisë dhe dhënia fund e praktikave të kundërligjshme e të rrezikshme të dizinformimit dhe manipulimit të publikut me shifra të deformuara për qëllime politike, që nuk reflektojnë realitetin e ekonomisë shqiptare.
• Transparenca në funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve dhe të Radio Televizionit Shqiptar, përmes miratimit me konsensus të një kuadri të ligjor dhe rregullator të standardeve të Bashkimit Evropian si edhe pranimit të një ekuilibri të ri në bordet përkatëse të tyre.
• Transparenca në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për të mundësuar miratimin me konsensus parlamentar të kandidaturave të zgjedhura, bazuar në kritere të meritës dhe profesionalizmit e jashtë ndikimeve politike si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës.
• Transparenca mbi hetimin e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, që do të garantonte zbardhjen e menjëhershme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vrasjes.